Ish-deputetja e PD-së, Dhurata Çupi akuzoi sot qeverinë se po përdor gjendjen e fatkeqësisë për të abuzuar me tenderin e rindërtimit 76.4 milionë euro.
“Programi i rindërtimit të shtëpive dhe shkollave të dëmtuara nga tërmeti është infektuar nga virusi më i keq i qeverisë shqiptare, korrupsioni”, tha Çupi.
Sipas saj, “janë 76.4 milionë euro për të cilat Rama ka vendosur të paracaktojë se kush do t’i fusë në xhep dhe me kë do t’i ndajë, duke kufizuar pjesëmarrjen në tender të kompanive shqiptare dhe të huaja”.
“Duke zgjedhur procedurën e kufizuar në vend të tenderit të hapur ndërkombëtar, qeveria shqiptare arrin dy gjëra: Largon nga gara kompanitë e huaj. Ngushton zgjedhjen tek një grusht kompanish vendase kliente të kryeministrit, me të cilat ka ndarë çdo projekt dhe koncesion korruptiv me vlerën më të lartë të mundshme”, tha Çupi.
