I përfolur se dikur vinte në Tiranë si një biznesmen i madh në fushën e energjetikës, tashmë serbo-boshnjaku, Damir Fazliç ndodhet sërish në rrugët e kryeqytetit shqiptar.
Damir Fazliç ka qenë shumë pranë qeverisjes së Partisë Demokratike, deri në vitin 2013. Ai kishte plane investimi në fushën energjetike në zonën e Porto Romanos.
Në vitin 2008, Prokuroria e Tiranës nisi një hetim për pastrim parash.
Raportimet mediatike të kohës flasin për një plan hetimor të prokurorëve, ku përfshihej ndër të tjera edhe pyetja e Damir Fazliç.
Ai proces u mbyll me pafajësi për Fazliç.
Porto Romano dhe familja Berisha
Në vitin 2004, qeveria shqiptare shpalli ndërtimin e një porti në zonën e quajtur Porto Romano për importimin e produkteve të hidrokarbureve, një projekt në partneritet publik dhe privat. Depozitat e karburanteve u ndërtuan bashkë me infrastrukturën shoqërurese, ndërkohë që projekti parashikonte që në këtë zonë të ndërtoheshin edhe termocentrale.
Me mendimin se zona do të kthehej në një park industrial energjetik, Damir Fazlliç bleu mbi 150 mijë metër katrorë tokë në Porto Romano. Me një vendim të veçantë, qeveria “Berisha” e shtoi këtë sipërfaqe në zonën e përcaktuar më herët si park industrial.
Në një investigim të mëparshëm, BIRN zbuloi se Damir Fazlliç nuk ishte i vetëm në këtë sipërmarrje. Argita Malltezi, vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha u përfshi gjithashtu në transaksionet e shit-blerjes së tokës.
Mes viteve 2006 dhe 2007, Argita Malltezi, partnerja e saj në zyrën ligjore, Flutura Kola dhe bashkëshortët e tyre, Jamarbër Malltezi dhe Florenc Kola blenë një pjesë të konsiderueshme të tokës në Porto Romano duke përdorur pagesa në kesh. Ata paguan rreth 10 euro për metër katrorë për tokat e blera, por arritën t’ia shesin menjëherë më pas kompanisë Alpha Shpk dhe Croën Acquisitions për 18 euro për metër katrorë.
Për shkak se qeveria “Berisha” e transformoi tokën e pavlerë kënetore në “park industrial” ku do të ndërtoheshin impiante të mëdha elektroenergjetike, toka në fjalë supozohej se do të përjetonte rritje të mëdha të vlerës, duke i siguruar pronarit të saj ndoshta dhjetëramilionë euro përfitime.
Me një “leje qeveritare” në xhep, Damir Fazlliç, nëpërmjet kompanisë së tij, Croën Acquisitions u shndërrua në një kreditor të besueshëm për bankat, të cilat financuan projektet e tij.
Në prill 2010, kompania Crown Acquisitions mori një kredi prej 625 milionë lekësh (rreth 4.5 milionë euro) me synimin për të zhvilluar tokat e ish-Kënetës, brenda zonës së dizenjuar si Park Industrial me një projekt të titulluar: “Terminal dhe depozita karburanti dhe gazi”.
Kredia, e cila duhej të shlyhej për pesë vjet synonte të përdorej për nivelimin e tokës, gërmimin dhe punime të tjera në infrastrukturë për projektin. Për marrjen e kësaj kredie, kompania la si kolateral dy parcela toke me sipërfaqe të përgjithshme prej 80 mijë metrash katrorë. Po për të njëjtin projekt, Fazlliç siguroi dhe një kredi të dytë në maj 2013 nga Union Bank në vlerën e 841 mijë eurove.
Burimet i thanë BIRN se Fazlliç është rimbursuar në vlerën e 170 milionë lekëve në vitin 2011 për punimet që pretendon se ka kryer në realizimin e këtij projekti.
