Nga Dashamir Biçaku
Krimi në familje në Shqipëri nuk po arrin të njohë minimizim të tij pavarësisht rritjes së presionit nga institucionet shtetërore e shoqëria civile, duke njohur një kurbë shumë të lartë në raport edhe me krimet e tjera të parashikuar në Kodin Penal të vendit. Viti 2020 u mbyll me 4177 raste të dhunës në familje , me një numër në ulje krahasuar me 5051 raste në 2019. Pavarësisht shifrave të ofruara Linjës Kombëtare 116117, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit hezitoi të ofronte të dhëna dhe shifra të sakta mbi fenomenin. Ndërkaq specialistë të Policisë së Shtetit thonë se edhe pesë muajt e parë të vitit 2021, thuajse po mbyllen me të njëjtën tendencë ashtu si edhe viti i kaluar. Tendeca e dhunës pasur kryesisht si shkaktarë partnerët meshkuj, duke mos munguar nga incidentet e rëndomta e deri te rastet tragjike si ai i 6 majit të këtij viti në qytetin e Elbasanit, kur Koço Buzo, 58 vjeç, vrau me armë zjarri të bashkëshorten Liljana Buzo., 54 vjeçe. Gruaja më parë kishte pasur një vendim për urdhër mbrojtjeje të pranuar nga Gjytkata e Elbasanit. Gjata vitit 2020 Prokuroria regjistroi më shumë se 1300 vepra penale të dhunës në famile referuar vetëm nenit 130/a.
Për drejtoren e Linjës Kombëtare 116117 Znj. Iris Luarasi numri i viktimave të dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore është rritur jashtëzakonisht gjatë 2020-ës si shkak i pandemisë. Sipas të dhënave të Linjës së Këshillimit për Gra dhe Vajza (116117) gjatë periudhës së karantinës, shifrat e telefonatave u trefishuan krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë (2019). Zonja Luarasi e pyetur për arsyen se pse ka rënë numri i denoncimeve në polici, përgjigjet: “Kjo nuk ka ndodhur vetëm në Shqipëri po edhe në shtete të tjera gjatë periudhës së pandemisë. Shumë gra gjatë periudhës së karantinës kur kanë qenë 24 orë në shtëpi me dhunuesin, kanë preferuar të kërkojnë ndihmë pranë OJF-ve më shumë se tek policia. Këtë e dëshmojnë edhe shifrat në rritje në shërbime të tilla të ngjashme në Itali, Francë, Spanjë, Çeki, etj.”
Demokrat Medinaj 29 vjeç, sigurisht nuk qe “kryedemokrati” i harmonisë familjare, pavarësisht shpresës së prindërve të tij që e kishin pagëzuar edhe me këtë emër, nga se lindja e tij përkoi me mirazhin e periudhës së së parë të demokracisë në Shqipëri. Pasditen e 17 marsit 2021, ai goditit disa here me thikë bashkëshorten e tij, Irvana Medinaj. Gruaja nuk mundi të mbijetonte për shkak të plagëve të marra duke ndërruar jetë në vend. Demokrati, “diktator” u arrestua nga policia me akuzën e “vrasjes për shkak të marëdhënieve familjare”. Sigurisht dënimi për të pritet të jetë maksimal ashtu si edhe për Koço Buzon. Pasojat sociale dhe psikologjike dhe dhimbja e këtij krimi, tek autorët, veçanërisht tek fëmijët e tyre por edhe tek të afërmit e çiftit, do të duhet kohë të kurohen. Për të shtrënguar më tepër masat kundër dhunës në familje, Kuvendi i Shqipërisë në muajin nëntor të vitit 2020, miratoi disa ndryshime në ligjin përkatës. Risia më thelbësore në tekst ishte pika 1 e nenit 4 të ligjit, në të cilin parashikohet dëbimi i menjëhershëm i dhunuesit nga banesa. Besmira Muçaj, psikologe pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Tiranës, thotë se ndryshimet e reja ligjore janë pozitive pasi synojnë të ndihmojnë më tepër policinë në shtrëngimin e masave për parandalimin e krimit dhe dhunës në familje. Por sipas saj në thelb, problemi mbetet tek mjetet dhe instrumentet e tjera shtetërore dhe shoqërore që duhen shoqëruar me miratimin e ligjit. “Në asnjë rast nuk ka qenë e mundur të largohet një dhunues nga banesa, përveç rasteve, kur dhunuesi ka përfunduar në burg. Kjo pasi institucionet e rehabilitimit private apo publike qofshin mungojnë e për më tepër nuk kanë ende mjete rehabilitimi e strehimi për dhunuesit”,- shprehet Muçaj.
Ndërsa drejtoresha e Linjës Kombëtare 116117 e pyetur në lidhje me këtë shprehet: “Në dijeninë time gjykatat kanë dhënë disa vendime për largimin e dhunuesit nga banesa. Dhe pikërisht këtu qëndron edhe arsyeja forcimit të këtij neni me ndryshimet e fundit ligjore. Nuk është detyrë e gjykatës të mendojë për strehimin e dhunuesit. Kjo është vetëm cështje personale e tij dhe kjo do bëjë që ai të mendojë dy herë para se të dhunojë sërisht gruan. Ndërsa për shërbimet e rehabilitimit ato funksionojë ne Tiranë që prej vitit 2012 sic është shërbimi që ofrohet nga Linja e Këshillimit për Burra dhe Djem e janë në funksion edhe në disa qytete të tjera të vendit (Shkodër, Vlorë. Pogradec, Elbasan).”
Ndër shkaqet e dhunës për gjatë vitit 2020- 2021, Muçaj rendit situatën e pandemisë e cila solli mbylljen më tepër të personave në banesat e tyre duke rritur edhe më shumë stresin social dhe psikologjik të krijuar nga situata e pandemisë. “Shumë vende pune u shkrinë apo u transformuan duke bërë që njerëzit të humbnin punën, duke sjellë edhe një reaksion zinxhir me mungesë të të ardhurave ekonomike e më pas edhe me rritjen e konfliktit social”. Psikologia e policisë thotë se situata e pandemisë iu bashkëngjit dhe u bë barrë më tepër në jetën psikologjike dhe familjare të shkaktuara edhe nga shkaqe të tjera. “Rastet më të tepërta të dhunës janë vërejtur tek familjet me të ardhura të pakta ekonomike, diferencat social kulturore mes bashkëjetuesve. Këto faktorë gjatë pandemisë kanë sjellë që një pjesë e personave të shtojnë konsumimin e alkoolit, apo veseve të tjera duke sjellë në jo pak raste pasoja tragjike në familje, pavarësisht punës së vazhdueshme të policisë në terren apo edhe këshillimit të herë pas hershëm të aktorëve në konflikt.
Egla Nikollaj, eksperte psikologe ligjore e regjistruar pranë Ministrisë së Drejtësisë, thotë se mbrojtja nga dhuna është e drejtë themelore e njeriut, përfshirë edhe dhunën që ndodh në shtëpi. Ajo çka ndodh brenda katër mureve nuk duhet të shihet më si një çështje personale apo familjare por si një çështje publike e patolerushme e cila kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Në të kundërt pasojat do të jenë tragjike me viktima, si jo pak herë kemi pasur gra që kanë humbur jetën si pasojë e dhunës brutale të bashkëjetuesve dhe bashkëshortëve të tyre.
“Në vendin tonë nuk është problem mungesa e ligjit, por zbatimi i tyre në terren. Në nëntor 2020, hynë në fuqi ndryshimet e ligjit 125/2020 kundër dhunës në familje. Ligji thotë se derisa gjykata të nxjerrë urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes ose urdhrin e mbrojtjes, urdhërohet largimi i menjëhershëm i dhunuesit nga banesa, kur viktima dhe dhunuesi banojnë në të njëjtën strehë, përveç rastit kur dhunuesi është i mitur, i moshuar ose person me aftësi të kufizuar.
Në dijeninë time, ndryshimet e ligjit për dhunën në familje, ku policia merr tagrin që të largojë dhunuesin nga familja akoma nuk nuk është bërë një praktikë e zbatueshme. Kjo pasi policia ndeshet me problematikën e mungesës së një institucioni apo vendstrehimi ku do të qëndrojnë dhunuesit”. Sipas Nikollës, pjesa më e madhe e dhunuesve nuk kanë një vendqëndrim të dytë dhe jo rrallë herë shprehen në organet policore se do të jenë të detyruar të flenë rrugëve.
Në këto kushte, edhe pse policia e urdhëron të mos shkojë në banesë, dhunuesi gjen sërish mundësinë për të hyrë në bisedime me familjarë dhe të afërm të të dhunuarës, që të kthehet përsëri në familje. “Personat e dëmtuar që në thuajse të gjitha rastet janë gra, pajtohen me dhunuesin, bashkëshortin apo bashkëjetuesin e tyre me shpresën se ai do të ndryshojë. Por kjo ndodh rrallëherë në mos aspak”,- thotë psikologia e policisë Besmira Muçaj. Sipas saj në shumë raste dhunuesi e viktima janë të detyruar të ndajnë të njëjtën hapësirë, apo sipërfaqe të vogla banimi që shëbejnë për ndjenje, gatim, fjetje etj. Në kushtet e mungesës së të ardhurave gratë janë të detyruara të mbyllin një sy, me shpresën që situate do të ndryshojë. I tillë ngjan edhe rasti i H.Brahjes, nga Kukësi, banues në rrugën “Mine Peza” në Tiranë. 56 vjeçari pa profesion, u arrestua me 15 maj, sepse ishte shpallur në kërkim, për shkak të dhunës ndaj bashkëshortes së tij, dhunë e cila në shumicën e rasteve ndodhte edhe në sy të fëmijëve të tyre të mitur 10 e 11 vjeçarë. Ndryshimet e ligjit për dhunën në familje duhej të përmirësonin ndjeshëm pozitën e personit të dhunuar në raport me dhunuesin e kësisoj edhe ngjarjet e rënda mund të parandaloheshin. Por pavarësisht këtyre ndryshimeve ligjore në letër në terren oficerët e policisë hasin vështirësi në zbatimin e ligjit e po ashtu edhe të dëmtuarit nga dhuna në familje nuk kanë mundur të përfitojnë nga përtëritjet ligjore. Si psikologia Muçaj ashtu dhe kolegia e saj Nikollaj, nënvizojnë qartë mungesën e mjeteve të strehimit për dhunuesit pas nxjerrjes së tij nga shtëpia, duke shtuar këtu edhe mungesën e instrumenteve rehabilituese. Sipas tyre burgu është një instrumet prej nga dhunuesit dalin edhe më tepër të dhunshëm nga sa kanë hyrë. Përshpejtimi i ngritjes së instrumenteve shtesë të mbrojtjes dhe të rehabilitimit do të mbrojë jetën e shumë personave veçanërisht grave, viktima të dhunës në familje përfundojnë ekspertet Nikollaj e Muçaj.
E pyetur për shërbimin e rehabilitimit, Znj. Iris Luarasi që drejton edhe Linjën e Këshillimit për Burra dhe Djem në fakt na sqaron se shërbimi ekziston që prej vitit 2012 dhe është pjesë e mekanizmit të referimit të Bashkisë Tiranë prej disa vitesh. Ky shërbim ka një bashkëpunim të fortë me Zyrën e Shërbimit të Provës dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Znj. Luarasi thekson se shërbimi i rehabilitimit është një nga format funksionale që ndikon dukshëm në reduktimin e dhunës, por ata nuk kanë asnjë rast të referuar nga Policia dhe shumë pak raste të referuara nga Gjykatat. Si Zv. Presidente e parë e Komitetit të GREVIO pranë Këshillit të Europës që monitoron vendet që kanë ratifikuar Konventën e Stambollit, Znj. Luarasi sqaron se në asnjë prej vendeve që ka monitoruar GREVIO në Europë nuk ekziston një praktikë që pushteti qendror apo lokal merret me strehimin e dhunuesve, kështu që nuk ka asnjë arsye që të mendohet si opsion për Shqipërinë.” Duket se gjatë pandemisë rrugëtimi i të dhunuarve në familje ështe bërë më e vështirë, pavarësisht shtrëngimit të masave shtetërore ndaj tyre.
Mbështetur nga Qendra Aleanca Gjinore per Zhvillim
