Një nga të arrestuarit e Policisë për skandalin e pagërrjedhjes, Endri Ikonomi rezulton të ketë punuar deri së fundmi për kompaninë e një miliarderi rus në Shqipëri, e quajtur Credit 2 All (Digital Finance International SHPK), që sipas të dhënave të QKB, është e specializuar në konsulencë financiare dhe në produktet elektronike në këtë fushë.
Biznesmeni 57-vjeçar rus Oleg Viktorovich Boyko raportohet të ketë një pasuri prej 1.3 miliardë dollarë sipas Forbes dhe përshkruhet në faqen e tij të internetit si një nga 100 biznesmenët më të pasur rus, investitor ndërkombëtar prej 30 vitesh në industrinë bankare dhe shërbimet digjitale financiare dhe drejtues i Finstar Financial Group.
Megjithatë një raport inteligjence i Senatit të SHBA e citon oligarkun rus Oleg Boyko si person “Me lidhje shqetësuese me qeverinë ruse, inteligjencën dhe shërbimet e sigurisë së Rusisë dhe me lidhje me krimin e organizuar”.
Në raport thuhet gjithashtu se oligarku rus, i listuar nga “Forbes” në vendet e para të listës së personave pranë Putinit për nga influence dhe pasuria, kishte ndikuar në zgjedhjet e Moldavisë në shërbim te interesave ruse.
Ai rezulton të jetë pronar edhe i një kompanie të ngjashme kreditimi në Letoni.
