Xhani De Biazi përballet në këtë të martë me një sfidë shumë të komplikuar për karrierën e tij, një nga më të vështirat. Tekniku i cili drejtoi Shqipërinë në Euro 2016, rrezikon të drejtojë Azerbajxhanin për në ligën më të ulët të Ligës së Kombeve nëse nuk merr rezultat ndaj Luksemburgut në sfidën e fundit.
Një sfidë për jetë a vdekje dhe për të cilën De Biazi ka menduar të motivojë lojtarët e tij në një mënyrë që me siguri nuk do u pëlqejë tifozëve shqiptarë për të cilët ai është një idhull. Trajneri e ka bërë këtë duke u thënë futbollistëve të Azerbajxhanit se kanë një potencial më madh se Cana & Co. që shkuan në Francë, siç e pranoi vetë tekniku në konferencë për shtyp para sfidës.
“Ne kemi lojtarë të mirë. Unë i jap rëndësi çdo detaji, që nga ushqimi i lojtarëve e deri te pushimi. Siç e kam thënë nga dita e parë, ne duhet të ndryshojmë mentalitetin, ia kam shpjeguar se ata kanë potencial. I shpjegova lojtarëve që unë jam kualifikuar në finalet e Kampionatit Europian me një skuadër më të dobët se ata. Këta lojtarë duhet të kenë besim te potenciali i tyre”, deklaroi De Biazi.
Një deklaratë aspak e këndshme për tifozët shqiptarë, por sidomos për të gjithë ata futbollistë të cilët iu bashkuan kuqezinjve në atë rrugëtim e luanin ndër kampionatet më të njohura të Europës e që sipas trajnerit, kishin më pak cilësi se futbollistët aktualë të përfaqësueses së Azerbajxhanit. Kjo e fundit ka siguruar deri tani 5 pikë në 5 ndeshje, në një grup ku gjenden përkrah Luksemburgut, Malit të Zi dhe Qipros.
