Mbledhja online e komisionit të ligjeve këtë të hënë është shoqëruar me debate lidhur me ndryshimet në ligjin për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar. Mjaft kritik ka qenë deputeti Bashkim Fino lidhur me propozimet e ndryshuara, sipas të cilave asetet e konfiskuara të mbahen nga Agjencia e Konfiskimit të Pasurive.
Deputeti vuri në dukje se kjo agjenci është në varësi të ministrisë së Brendshme dhe duhet të mbajë aq para sa i duhen në bazë të planifikimit buxhetor për gjithë vitin, por nuk është institucion me vetëfinancim.
“Lidhur me transferimin e fondit për vitin pasardhës, kjo është diskutuar në qeveri. Këtu nuk bëhet fjalë për të ardhura buxhetore. Meqë nuk i shohim sekuestrimet si të ardhura buxhetore, i kemi bërë si transferime në mënyrë që të luftohet me efikasitet parandalimi i krimit. Po i futëm tek buxheti largohen tek destinacioni ku është parashikuar”, tha ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj.
“Meqënëse nuk jeni ekspert i fushës, kjo nuk është agjenci vetë-financuese është agjenci shtetërore, ka një buxhet brenda Ministrisë së Brendshme. Ju e thoni vetë në pikën 7 se të ardhurat e papërdorura “transferohen në buxhetin e vitit pasardhës”. Ka buxhet agjencia që miratohet nga ministria juaj dhe vjen në parlament, ligji i buxhetit që është më i rëndësishëm nga çdo ligj tjetër, nuk mund të transferohen në vitin tjetër. Ju mund të merrni vitin tjetër lekë më shumë, malet më të larta… qeveria le t’i japë lekë më shumë. Ka ligj buxhetor nuk të lejon financa ta bësh. E ke institucion brenda ministrisë, jo me vetë-financim që s’merr kokërr leku nga buxheti që të mbash lekët e konfiskuara, dhe ata specialistët e tu duhet të ta thonë ty këtë gjë”, u shpreh Fino.
