Teksa është duke u zhvilluar mbledhja e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, është organizuar dhe një seancë dëgjimore me Autoritetin e Konkurencës. Mes diskutimeve, deputetja Tabaku ka deklaruar se Autoriteti i Konkurencës është një institucion i rëndësishëm i cili ka dhe vëmendjen e Bashkimit Europian.
“Autoriteti duhet të jetë më aktiv në kontrollin paraprak të PPP dhe të drejtave eskluzive që atyre mund ti jepen dhe në kontrollin e përputhshmërisë me parimet e konkurrencës të të gjithë instrumenteve ligjore të përdorura për koncesionet, përfshirë marrëveshjet ndërqeveritare të lidhura me vendet e treta për zbatimin e projekteve të përbashkëta.
Kjo do të thotë se Autoriteti Konkurencës nuk ka arritur që të jetë në shërbim të asaj që i përcakton ligji pra publikut. Nuk kemi ende rezultate apo hetime në lidhje me prokurimet publike, Koncesionet dhe padyshim PPP. Janë vënë re shume shkelje të MSA-së si Aeroporti i Vlorës, Porti i Durrësit e kështu me radhë dhe juve nuk keni marrë ndonjë hetim për këto monopole,” u shpreh Tabaku, bazuar në raportin e BE-së.
Tabaku vijoi më tej duke iu drejtuar Denar Bibës, teksa i solli atij në vëmëndje një hetim të nisur prej tij për hidrokarburet.
“Dua të kem informacion në lidhje me detyrimet e Bankers Petrolium. Gjithashtu kemi nevojë si komision të kuptojmë tregun e hidrokarbureve dhe përse çmimet rriten në Shqipëri kur në bursë nuk rriten? Ne kemi pasur një raport nga Autoriteti Konkurencës në 2015 në lidhje me tregun e hidrokarbureve. Dua të kemi informacion se çfarë po bëhet me këtë raport?”
Gjithashtu, znj. Tabaku vuri në dukje edhe situatën e çmimeve të produkteve ushqimore që janë rritur dhe se sipas saj nuk mund të parandalohet kjo rritje me shpikje alla komuniste apo fashiste. Ajo u shpreh se rritja e çmimit të vajit, rritja e produkteve ushqimore dhe shportës së konsumit nuk janë hetuar nga Autoriteti Konkurencës.
S’mund të hetohet “Play Station 5” dhe shitja e tij, evidentoi Tabaku, ndërsa në Shqipëri ka shqetësime shumë herë më të mëdha për qytetarët. Çmimi i vajit ka shkuar 321 lekë ndërkohë që ushqimet janë rritur me nga 50 apo 60 lekë për kilogram. Kjo rritje nga se vjen?! Sa është indkimi i monopoleve?! Qytetarët kanë nevojë të marrin përgjigje dhe mbi të gjitha tregu ka nevojë të lirohet nga monopolet dhe të shkojë drejt konkurencës.
