Vendimi i Këshillit të Ministrave për tërheqjen e rekursit nga Gjykata e Lartë, “përplasi” në Kuvend ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili mori një përgjigje nga ministri Ulsi Manja.
Duke u nisur nga replika, Berisha iu përgjigj Manjës duke thënë nga vendi i tij në Kuvend, se ai është bërë zëdhënësi i ministres Elisa Spiropali.
Gjatë diskutimit, nga Foltorja e Kuvendit, Berisha akuzoi qeverinë se e ka shndërruar rekursin në një mekanizëm placckitje.
“E dini që 95% të proceseve gjyqësore fitohen vetëm nga narko qeveria, qytetarët nuk fitojnë kurrë. Tani vendosët që rekursin ta shndërroni në një mekanizëm plaçkitje të vërtetë me vendim. Të përzgjidhni ata që nuk do të shkojnë në Gjykatë të Lartë natyrisht kundrejt shumave të majme”, tha Berisha.
Kjo solli reagimin e Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja i cili i sqaroi Berishës vendimin e Këshillit të Ministrave dhe se si funksionon.
“Çfarë është ky udhëzim? Orienton administratën shtetërore të heqin dorë nga rekurset e padepozituara kur vlera e disponimit të padisë nga ana e gjykatës nuk e kalon 40-fishin e pagës minimale. Pra shkon 12 milionë lekë të vjetra Sali. Fiksoje mirë këtë. Do të hiqet dorë nga ato rekurse kur shteti i ka humbur gjyqet në të 2 shkallët e gjykimit, në shkallë të parë dhe të dytë ku përfituesit nga këto vendime, në vlerë leku janë jo më shumë 40-fishi i pagës minimale. Nuk bëhet fjalë për të hequr dorë nga rekurse që kanë ndikim të madh ekonomik në interesat pasurore të shtetit se nuk kemi luajtur mendsh ne. E dyta hiqet dorë nga rekurset që kanë të bëjnë me njohje, vërtetim vjetërsie në punë, njohje të dhënave të dokumentit, librezë pune, regjistër themeltar, listë pagesa sepse ne në interesin e pensionistëve duam që ta gëzojnë pensionin, prandaj mos dil të flasësh këtu kur dezinformon opinionin publik”, tha Manja.
