Gjatë seancës së sotme parlamentare është duke u zhvilluar një interpelancë me debat për rritjen e çmimeve dhe masat e marra nga qeveria. Po para nisjes së debatit ka pasur një përplasje mes deputetëve të Partisë Demokratike. Deputeti Tritan Shehu, i cili ka mbështetur Sali Berishën, ka thënë se kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, i ka hequr fjalën. Ai e ka konsideruar këtë veprim si shkelje të rëndë të demokracisë.
Ndërkohë nga ana tjetër, Alibeaj reagoi dhe kërkoi që çështjet e brendshme të mos diskutohen në parlament sepse nuk është e hijshme. Po ashtu, ai i kërkoi Ermonela Feljat, nënkryetares së Kuvendit që sot drejton seancën, që të mos provokojë debate të natyrës së brendshme të grupit parlamentar të selisë blu.
Tritan Shehu: Kam një protestë sepse kryetarët e grupeve parlamentare, të ashtuquajtur disa nuk kanë të drejtë të heqin kurrkënd nga debati, por të ndajnë orën në bazë të gjithë kërkesave ndaj atyre që kanë bërë kërkesë brenda grupeve të tyre. Kjo është gjë e turpshme që ka ndodhur. Kam kërkuar që të marr pjesë në debat sot dhe i ashtuquajturi kryetar i grupit parlamentar të PD nuk më ka vënë në listë. Është veprim arbitrar, antidemokratik, kundër sovranitetit të deputetit sepse minutat nuk ndahen për të hequr apo vënë dikë. Ato ndahen për t’u ndarë në proporcion të drejtë me ata që bëjnë kërkesën për të diskutuar për një çështje. Pra të heqësh një njeri që kërkon është flagrante se shkel atë që ka më të rëndësishme që ka parlamentarizmi, fjalën e deputetit. Qoftë edhe 1 minutë, qoftë edhe 3 sekonda, deputetët duhet të flasin. Askush nga ata atje, s’kanë të drejtë të më heqin mua të flas. Është turp i madh që bëjnë, është një shkelje e rëndë e demokracisë dhe absolutisht bie në një kurth të tyre shumë të rrezikshëm. Gjithë ajo listë që e ka paraqitur ai i ashtuquajtur grup, si të pavlefshme. E konsideroj këtë debat që është kërkuar të çrregullt dhe të papërputhshme me vlerat e parlamentarizmit dhe grupeve parlamentare. Turp të kenë ata që e bënë këtë punë.
Enkelejd Alibeaj: Ju bëj me dije ju dhe gjithë publikut në fakt që nuk do të duhet kurrë të provokoni debate të natyrës së brendshme të grupit parlamentar tonit. Është e disata herë që e keni bërë këtë gjë. Ndoshta ju kërkoni të fitoni kredo politike, por kjo nuk ju bën hije dhe nder askujt. Për gjithë qytetarët dhe për të gjithë kolegët e nderuar që nga ana ime kanë respektin maksimal, familja jonë grupi parlamentar i PD ka rregullat e veta, ka kontributin e vet gjithsecilin, rregulla të përcaktuara në rregulloren e grupit parlamentar, edhe deputetëve, miq të mi, kolegë të nderuar, të cilën nuk u toleroj asnjë gjë, që çështje të brendshme të mund t’i nxjerrim në mexhelis nuk është e hijshme. Megjithatë në mbledhjet e grupit parlamentar ku të gjithë së bashku jemi, kemi mundësitë për të bërë kërkesat dhe për të depozituar edhe kontributin tonë parlamentar për të folur për çështje të rëndësishme që qytetarëve u interesojnë. Sipas procedurës sonë të brendshme sekretari i grupit u ka dhënë mundësinë të gjithë deputetëve, anëtarë të grupit parlamentar të PD që të flasin dhe kanë gjetur mundësinë për të folur. Ky është rregulli ynë i brendshëm dhe një kërkesë kam fare të vogël për këdo. Në një familje serioze, në respekt të njëri-tjetrit thirrje i bëj nderit, respektit, njerëzillëkut mes nesh që primare në fakt është që ky parlament ka synim kryesor mbrojtjen dhe të jetë protektor i interesit të qytetarëve. Të mos biem në lojëra të vogla dhe kurthe të vogla nëse nuk e dëshirojmë diçka të tillë. Të mbrojmë interesat e qytetarëve shqiptarë. Ky është synimi që kemi ne. Nuk kemi kompleks dhe asnjë lloj skenari. Zonjë kjo nuk ishte për ju por meqë u ftova në këtë debat, por për ju meqë jeni ulur në atë pozicion mos i jepni hapësirë dhe mos krijoni asnjë lloj provokimi për të krijuar skenare të tilla. Drejtoni punët e parlamentit dhe nuk keni të drejtë që të filloni të gajaseni me situata të tilla.
