Analisti Altin Gjeta është shprehur se kryedemokrati Lulzim Basha është në një moment të vështirë në karrierën e tij politike, pasi po sfidohet hapur nga ish-Kryeministri Sali Berisha.
Duke komentuar deklaratën e Bashës për ‘trekëndëshit e Bermudës’ Rama-Basha-Berisha, ai shprehet se synon ta pozicionojë veten si një politikan anti-establishment.
Altin Gjeta: Basha është në një moment të vështirë në karrierën e tij politike. Po sfidohet hapur nga Berisha. Mendoj se me deklaratat e djeshme dhe me tonet e rritura kohët e fundit Basha synon ta pozicionojë veten si një politikan anti-establishment kundër të gjithë klasës politike 30-vjeçare siç e cilëson ai. Basha është produkt i këtij establishment politik dhe gjatë gjithë karrierës së tij politike në asnjë moment nuk ka tentuar që ta sfidojë dhe madje është konfirmuar brenda këtij establishment.
Gjeta thotë se politikanët replikojnë me njëri-tjetrin në mënyrë që të shmangin vëmendjen e opinionit publik për krizën në të cilën ndodhet vendi.
Ndërsa për Gjetën, me retorikën që përdor Basha synon që të shmangë vëmendjen nga kriza brenda PD.
Altin Gjeta: Janë akuza dhe kundër akuza në vazhdën e retorikës politike, narrative boshe që nuk synon adresimin e problemeve reale, përkundrazi synon shmangien e vëmendjes së opinionit publik nga kriza që po kalon vendi. Basha synon që të shmangë vëmendjen nga kriza që po kalon PD. Është një retorikë, një gjuhë e vjetër që shmang problemet e vendit. Ne duhet të reagojmë si shoqëri. Është e papranueshme që lidershipi politik është përfshirë në këtë retorikë boshe. Kjo retorikë Bashën nuk e ndihmon aspak.
Gjeta thotë se sulmet që bën Basha ndaj Berishës nuk e ndihmojnë atë për të sqaruar pozicionin e tij brenda PD.
Altin Gjeta: Problemi që ka Basha është kriza brenda partisë, është një krizë lidershipi dhe gjuha me të cilën ai vetë dhe sulmin që i bën Berishës s’e ndihmon atë për të sqaruar pozicionin e tij brenda partisë. Basha duhet të merrte një aksion PD. Gjuha që përdor ndaj Berishës duke e vendosur atë në një pozitë të njëjtë me Ramën dhe Metën është një gjuhë e përgjithshme që i drejtohet gjithë shqiptarëve, por në fund të ditës çështjet e lidershipit brenda partisë vendoset nga anëtarësia e Partisë.