Në seancën e sotme plenare është parashikuar të miratohen një sërë ligjesh të rëndësishme për një pjesë të të cilëve pritet të ketë mjaft debate.
Sipas rendit të ditës është parashikuar interpelanca me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe raporti i veprimtarisë vjetore të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2019.
“Patatet e nxehta” të seancës do të jenë paketa anti-KÇK, pjesë e të cilës është edhe ligji “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”.
Si akti normativ edhe ligji për pasuritë e konfiskuara u diskutuan gjatë javës së shkuar në Kuvend dhe pritet që në seancën e ardhshme t’ju bashkohen edhe ndryshimet në tri ligjet e tjera që ende nuk kanë kaluar nëpër komisione.
Gjithashtu, një tjetër ligj që do të miratohet në seancën e sotme është edhe ai “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, që trajton çështjen e legalizimeve dhe tapive të pronave.
Ky ligj u diskutua dhe u miratua vetëm dy ditë më parë dhe menjëherë i kalon seancës plenare për miratim, duke mos e vonuar futjen në fuqi.
Gjithashtu, sot Kuvendi do të miratojë edhe dy ligjet për pajisjet mjekësore dhe kontrollin kufitar.
Gjatë kësaj seance deputetët do njihen edhe dekretin e Presidentit Meta që ktheu ligjin për betimin e gjyqtarëve në Kuvend.