Pas disa muajsh skepticizmi në Gjermani nisi kultivimi i kanabisit për qëllime mjekësore. Korrja e parë ishte me sukses dhe ka nisur edhe furnizimi i farmacive.

Kompania kanadeze Aphria RX korri thuajse 50 kilogramë kanabis në plantacionin e saj të parë legal në Neumünster në landin Schleswig-Holstein në veri të Gjermanisë. Plantacioni i ngjan një burgu të sigurisë së lartë dhe është i rrethuar me mure betonarmeje, sepse kanabisi në Gjermani trajtohet sipas ligjit për lëndët narkotike.

Plantacioni Apharia i ngjan një burgu të sigurisë së lartë

Prej plantacionit kanabisi do t’u shpërndahet farmacive në të gjithë Gjermaninë dhe ato mund t’ua shesin atë njerëzve që përdorin kanabis për arsye mjekësore – për shembull për shkak të dhimbjeve të forta, spazmave ose humbjes së oreksit. Kompania Aphria planifikon që dymbëdhjetë muajt e ardhshëm ta shtojë sasinë e furnizimit deri në një ton.

Kanabis me recetë nga mjeku

Që nga viti 2017 mjekët lejohen t’u japin pacientëve recetë për të përdorur kanabisin si mjekim. Për të plotësuar kërkesën për kanabis Instituti Federal Gjerman i Barërave dhe i Pajisjeve Mjekësore ngarkoi tri kompani për të kultivuar kanabis. Krahas Aphria RX, në Gjermani lejohet të kultivojnë kanabis edhe kompania kanadeze Aurora dhe ajo gjermane Demecan.

Në Gjermani ka sot deri 90,000 vetë, që përdorin kanabis për qëllime mjekësore. Terapia me kanabis kushton nga 200 dero 2200 euro në muaj. Por në rreth 40% të rasteve shoqëritë e sigurimeve shëndetësore nuk i marrin përsipër shpenzimet për trajtimin me kanabis, edhe pse pacienti mund të ketë marrë recetë nga mjeku.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here