Lulzim Caka, njëri nga personazhet më të njohur të krimit gjatë viteve 1997-1999, ka përfunduar dënimin dhe është liruar. Lul Caka ka lënë burgun e Fushë-Kosovës në orën 10.00.
Por, njeriu që sfidoi drejtësinë për vite të tëra, pasi arrestohej dhe lirohej për mungesë provash, të hënën doli përfundimisht në liri. Ai i shpëtoi burgosjes së përjetshme falë mbrojtjes së mirë, por edhe pingpongut që bënë një sërë gjykatash, mes të cilave rrugën drejt lirisë ia hapi Gjykata e Lartë për rishikim vendimi, më tej edhe Gjykata Kushtetuese dhe për ta vulosur këtë fakt edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.
Lulzim Caka u soll në Shqipëri me një marrëveshje ekstradimi me Italinë në vitin 2003, dhe pas 16 viteve burgim tashmë konsiderohen të shlyera 25 vitet e dënimit, për një ngjarje në të cilën ai akuzohet se sulmoi postbllokun e policisë, duke tentuar të vrasë dy zyrtarë policie, Gani Malushin dhe Ilir Ngresin, të cilët më pas u vranë në ngjarje të tjera. Njëri u ekzekutua nga miku i Lul Cakës, Kastriot Jaupaj dhe tjetri u vra në Durrës.
Historia e “të tmerrshmit të Beratit”
Ndaj tij rëndojnë një sërë ngjarjesh të frikshme, të cilat krijuan mitin e një vrasësi gjakftohtë, por edhe hakmarrës. Ngjarja më e tmerrshme është ajo e rrëmbimit të nënës së tij, Xhevrie Caka dhe masakrimit të saj, pasi ajo kishte shkuar për të takuar të birin që ndodhej i arrestuar në Fier. Gruaja u rrëmbye në derën e komisariatit në vitin 1999, dhe pas torturave u gjet e masakruar në pyllin e Semanit. Pas këtij krimi, Lul Caka u betua për hakmarrje dhe e realizoi punën e vet më të madhe kriminale, pasi u betua dhe u arratis nga burgu për këtë qëllim. Në mes të fshatit Samaticë vrau dy nga autorët, Valter Bega dhe Mariglen Cami, krime që i kreu në Shqipëri.
Lul Caka u ngjit në piramidën e krimit menjëherë pas 1990-s, për shkak të lidhjes familjare që kishte me një tjetër të fortë, Loshin e Karbunarës dhe banda të Beratit. Por, kundërshtarët e tij ishin nga fshati Samaticë e përkatësisht fisi Cami dhe Bega dhe dy fiset, Cala dhe Yzeiri. Por, ai pati episode të vogla kriminale deri në vitin 1995, vit në të cilin ai u përfol për vrasjen e arkëtarit të Kutallisë, ndërsa më pas miti i tij frikësonte këdo që udhëtonte gjatë vitit 2001, pasi shpesh postblloqet me njerëz të armatosur sulmonin automjetet, por ajo që i hodhi prangat dhe e dërgoi në burg ishte pikërisht sulmi ndaj policisë. Ai tentoi të vrasë dy shefat e Krimeve të Kuçovës dhe të Beratit në urën e Samaticës.
Ngresi dhe Malushi shpëtuan, ndërsa në vendngjarje mbeti e shkrumbuar makina e tyre. Pikërisht për këtë episod, Lul Caka vuajti dënimin në bashkim dënimesh duke përfshirë edhe vrasjen e Pëllumb Eminit, një krim që i kushtoi atij më pas vrasjen e së ëmës. Pas arratisjes përmes një sharre që preu hekurat e burgut dhe pasi kreu masakrën në Berat, Caka u largua nga Shqipëria ku edhe jetoi në arrati në Itali për 15 muaj. Ndërkohë, në burg po vuajnë dënimin me 75 vite në total tre vrasësit e tjerë të nënës së të ‘tmerrshmit të Beratit’. Kundërshtarët e Lul Cakës, siç thonë burime të gazetës “Si” janë Fatmir Emini, i njohur ndryshe si Mile Cami, të cilit Lul Caka i ka vrarë të vëllanë, një krim që solli më pas për gjakmarrje masakrimin e të moshuarës. Në burg për këtë krim janë edhe dy vëllezërit, Artan dhe Bledar Yzeiri, të dënuar përkatësisht me nga 25 vite burgim secili./ GazetaSi