Zyra e Statistikave në Wiesbaden bëri të ditur se në Gjermani gjatë vitit 2018 kanë shkuar 1.185.000 persona me shtetësi të huaj nga vendet tjera, që është një shtesë prej 416.000, krahasuar me një vit më parë. Në kohën e lëvizjeve të shtuara të njerëzve, Gjermania ka shënuar bilanc pozitiv vjetor prej vitit 2010 deri më sot.
Nëse llogariten të gjitha shifrat e të ardhurve me shtetësi gjermane dhe të huaj, gjatë vitit të kaluar në Gjermani janë vendosur 1.384.000 persona. 87% prej tyre kanë pasaportë të huaj, raporton Zyra për Statistika. Ndër vendet me numrin më të madh të personave nga vendet jashtë Bashkimit Evropian, janë Shqipëria (rreth 8.000), Kosova me 12.000 si dhe Turqia me rreth 16.000 persona. Por shifrat më të larta të lëvizjeve janë megjithatë nga vendet e BE dhe Azisë.
Gjatë vitit të kaluar në Gjermani kanë mbërritur 202.000 persona me nënshtetësi të ndonjë vendi anëtar të BE. Më së shumti kanë ardhur nga Rumania (68.000), Kroacia (29.000) dhe Bullgaria (27.000). Ndërsa nga Azia kanë ardhur në Gjermani gjatë vitit të kaluar rreth 118.000 persona. Nga vendet tjera të Evropës (jashtë BE) kanë ardhur 85.000, nga Afrika 34.000./DW