Në Durrës vijon evidentimi i dëmeve të tërmetit. Aktualisht inspektorët po kryejnë vëzhgime në pallatet 5-8 katëshe, ndërsa vijon puna për shembjen e hoteleve të shpallura të pasigurta.
Godina 12 katëshe në lagjen 17 në të cilin banojnë 285 familje është vizituar së fundmi edhe inxhinierja e njohur Luljeta Bozo, e cila i ka qetësuar banorët duke thënë se janë dëme të riparueshme dhe ndërtesa nuk ka rrezik shembjeje.
“Nuk e jap unë përgjigjen, por më duket që janë defekte që riparohen. Muratura duhet bërë sipas rregullave teknike.”-tha Bozo.
Në terren grupet e ekspertëve vendas dhe të huaj vazhdojnë punën për të parë me hollësi dëmet që kanë pësuar banesat në qytet dhe lagjet periferike të tij.