Nga Hasan Pasha
Socialistët kanë nisur drejtimin e bashkive në të gjithë vendin, përjashtuar Shkodrën. Kanë kaluar pak ditë dhe problemet e evidentuara nga kryebashkiakët e rinj janë shqetësuese, të paligjshme, uluritëse. Kudo gati e njëjta skemë abuzimi dhe papërgjegjshmërie. Kudo vjedhje të fondeve publike, përbuzje të qytetarëve, shpërdorim të detyrës shtetërore.
Edhe sikur PD të merrte pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit humbja do të ishte fatale. Numri i bashkive që mund të fitonte opozita do të ishte sa gishtat e njërës dorë. Kjo sepse revolta e qytetarëve kishte arritur kulmin. Ata denonconin shkeljet e mëdha, por vetëm këto ditë po bindemi se demokratët kanë qeverisur në mënyrën më të keqe të mundëshme.
Çfarë ka ndodhur ? Aty ku kanë drejtuar demokratët ka ndodhur gjithçka. Janë paguar militantë të PD-së që punonin në emigracion apo nuk banonin në njësitë vendore ku paguheshin. Duke kqyrur sistemin TIM-s dallohen qartë abuzimet me “punëtorët e bankomatit”. Kryetarë të seksioneve e grupseksioneve, kryetarë të fshatrave dhe ekstremistë të njohur janë paguar prej vitesh në ndërmarrjet e rrugëve apo ato të shërbimeve, paçka se askush nuk i ka parë të hedhin një lopatë zhavor në rrugë. Drejtorë, përgjegjës sektori, brigadier, etj, kanë zhvatur ç’kanë mundur nga bashkitë e djathta.
Kryebashkiakët e PD-së kanë ndjekur një linjë bajate. Herë pas here janë justifikuar se nuk janë ndihmuar sa duhet nga qeveria apo se vartësit mund të kenë kryer ndonjë shkelje pa dijeninë e tyre. E vërteta është totalisht ndryshe. Sekserë, hajdutë, dallkaukë, të paaftë, servilë, kanë zhvatur qytetarët, bizneset dhe këdo, duke “furnizuar” edhe kryetarët e bashkive me të holla.
Jo vetëm kaq. Këto kryebashkiakë, militantë të këqinj dhe mjaft të paaftë, kanë lënë rrugët në gjendje kritike, qytetet janë mbushur me mbetje të shumta organike dhe inorganike, janë mbushur qendrat urbane me qen endacakë, në zyra futën të dënuar nga gjykatat, njerëz me vese, militantë që nuk kishin haber se ç’punë bënin. Furnizimi me ujë i qyteteve dhe fshatrave u katandis si mos më keq. Ndihma ekonomike u hiqej familjeve në nevojë dhe u jepej atyre që mbështesnin PD-së, sidomos gjatë protestave të dhunshme në Tiranë e rrethe.
Parë në këtë aspekt kryebashkiakët e PD-së duket se nuk kanë qeverisur me kokë, por me “funshpinë”.