Partia Demokratike ka reaguar lidhur me vendimin GJKKO-së për dënimin me 8.8 vite burg të Hekuran Markut, truprojës së ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Në një deklaratë për mediat, Floriana Garo, zëdhënësja e Partisë Demokratike të Rithemelimit, e cilësoi këtë vendim një tallje e hapur e drejtësisë shqiptare me opinion publik. Sipas saj, dënimi i vartësit tre herë më shumë se vetë Saimir Tahiri tregon politizimin e drejtësisë në Shqipëri.
“Dënimi i truprojës së ish-ministrit Saimir Tahiri me 8.8 vjet burg, me akuzën e grupit të strukturuar kriminal, është një tallje e hapur e drejtësisë shqiptare me veten dhe me opinionin publik. Sa për kujtesë, shefi i tij, ministri kampion i “qeverisë Rama 1” është dënuar me 3.4 vjet me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Dënimi i vartësit të drejtpërdrejtë me trefishin e dënimit të shefit dhe me trefishin e akuzës është kujtesë e hidhur e politizimit të drejtësisë në Shqipëri. Nëse u ktheheni përgjimeve të botuara në gazetën BILD, e mbani mend se Sajmir Tahiri, siç del qartë nga bisedat, nuk ishte një emër rastësor në rrjetin e narkotrafikut me Italinë, por Il Padrino i operacionit…Nëse i kujtoni faktet e publikuara nga ish-komisari Dritan Zagani, del e qartë se shkarkimi dhe përndjekja e tij, erdhi pasi ai interferoi me kushërinjtë e ministrit Tahiri, Habilajt e famshëm. Nëse ktheheni mbrapa në kohë do iu shfaqet Audi i famshëm A8 i ish-ministrit, me të cilin kushërinjtë e tij, pjesë e një strukture kriminale trans-adriatike kalonte çdo postbllok policor sepse “ishte makina e shefit”. Të gjithë këta tregues janë provë e pakundërshtueshme, jo vetëm e përfshirjes së ministrit të Edi Ramës, por edhe të rolit drejtues që kishte ai në krye të organizatës.”