Nga Blendi Fevziu
Një video që më dërguan dje dëshmon se mbishkrimet historike të Gjirit të Gramës janë dëmtuar me qëllim. Tentativa për të mësuar kur ka ndodhur kjo ishte e pasuksesshme. Me gjasa mund t’i takojë një kohë kur aty nuk ka vizitorë dhe as shërbime, por kurdo që të ketë ndodhur, është një krim mbi trashëgiminë dhe historinë tonë. Thuajse 1500 mbishkrimet e Gramës janë 2400 vjeçare. Ato dëshmojnë pozicionin e rëndësishëm gjeografik dhe historik të Shqipërisë; dëshmojnë praninë e personave të rëndësishëm botërore në këtë zonë dhe janë po ashtu një atraksion i rëndësishëm historik. Por monumenti që mbijetoi 24 shekuj, duket se nuk po i shpëton dot dorës vandale të kushedi kujt të papërgjegjshëm. Autoritetet duhet të gjejnë mënyrën për të ruajtur një monument të tillë, i cili për hir të së vërtetës është shumë i ekspozuar dhe i vështirë për t’u vezhguar. Ai dëmtim nuk është thjeshtë ndaj një monumenti, ai është një dëmtim për secilin nga ne. Do na vijë turp nga fëmijët që diçka që u ruajt 24 shekuj nuk po e ruajmë dot 24 vjet.
