Ditën e djeshme është shënuar një aksident tragjik me 4 punëtorë, të cilët ranë nga një skelë ndërtimi te rruga e Elbasanit në Tiranë dhe si pasojë, dy prej tyre ndërruar jetë.
Përmes një video të publikuar në ‘Facebook’, ‘Nisma Thurje’ denoncon se në pallatin ku po kryeheshin punimet jeton zëvendës kryeministri Erion Braçe.
Sipas denoncimit, në këtë pallat po implementohej një projekt i financuar nga Bashkia Tiranë për rregullimin e fasadës.
‘Policia dhe prokuroria kanë shumë punë për të bërë. Kjo ngjarje nuk mund të kalojë në heshtje e pa ndëshkim. Sepse kur nuk ka siguri teknike te projekti i Bashkisë në pallatin e Zv. Kryeministrit, kuptohet sa respekt ka në këtë vend për jetën e punëtorit’, thuhet ndër të tjera në denoncim.
Denoncimi i “Nismës Thurje”:
Në pallatin ku jeton Zv. Kryeministri Braçe po implementohej një projekt i financuar nga Bashkia Tiranë për rregullimin e fasadës.
Si pasojë e mungesës totale të sigurisë në punë, një orë më parë skeleria u shkëput e tëra dhe për pasojë 2 punonjës humbën jetën e dy të tjerë po luftojnë me vdekjen në spital.
Ngushëllime familjeve të viktimave dhe shërim të shpejtë të plagosurve!
Policia dhe prokuroria kanë shumë punë për të bërë. Kjo ngjarje nuk mund të kalojë në heshtje e pa ndëshkim. Sepse kur nuk ka siguri teknike te projekti i Bashkisë në pallatin e Zv. Kryeministrit, kuptohet sa respekt ka në këtë vend për jetën e punëtorit.
Vlen më pak se një skelë!
Dy Erionat mirë do jetë që si fillim të heshtin për ca kohë, sepse e dimë që për dorëheqje as nuk bëhet fjalë, por të paktën të heshtin në respekt të atyre që humbën jetën te fasada e tyre.