Deputeti Adriatik Alimadhi ka kritikuar presidentin Ilir Meta se nuk e kishte marrë asnjëherë në telefon dhe se nuk ishte solidarizuar me shqiptarët duke treguar se politika në vendin tonë është hakmarrëse dhe jo solidare.
“Të gjithë shqiptarët janë solidarizuar me mua dhe më kanë mbështetur në këtë kohë shumë të vështirë për jetën time. Presidenti solidarizohet për vdekje që ndodhën në botë apo me qenin në Kosovë dhe nuk tha asnjë fjalë solidare jo vetëm për mua, por për gjithë shqiptarët. Po pse të ndarë duhet të jenë shqiptarët? Politika këtu te ne është hasmëri, more mandatin dhe je i ligë. Po si more zotëri kur të ndahem unë nga jeta do të japësh mesazh ngushëllimi ti? Duhet të solidarizohemi ne shqiptarët”, tha Alimadhi.
