Deputetja e PD-së, Orjola Pampuri pjesë e grupit të Alibeajt, thotë se partia duhet të shqetësohet më shumë sesi do të përballen me kundërshtarin politik në zgjedhjet vendore të 14 majit.
Nga ana tjetër, ajo thotë se me 3 mars, kur do të flasë edhe Gjykata e Apelit për vulën, vendimi do të konsolidojë edhe më shumë grupin e PD-së. Pra vendimi qenka marrë dhe vulën do ta marrë Alibeaj? Po më 3 mars, PD-ja e Sali Berishës do të mbajë një protestë para Kryeministrisë, edhe pse e kanë mohuar që lidhet me vendimin që do të marrë Gjykata e Apelit.
“Vendimi i gjykatës do të konsolidojë edhe më shumë grupin e PD-së dhe do ta bëjë të ligjshëm para KQZ-së. Ajo që duhet të na shqetësojë është se si do të mundim kundërshtarin politik dhe mundësia për ta mundur nuk është që të dalim në zgjedhje me disa kandidatë, që të bëjmë garë me njëri-tjetrin kush merr më shumë e kush më pak”, tha Pampuri.
Kur u pyet nëse ka qenë i angazhuar Lulzim Basha në takimet me elektoratin, Pampuri u përgjigj se “Jo”. “Nuk është angazhuar në këtë periudhë. Ka bërë takime ku ka qenë i ftuar nga anëtarët e ndonjë dege. Por, takime që kanë lidhje direkte me fushatën janë bërë nga zoti Alibeaj, zoti Bardhi dhe unë”.