Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në seancën e mocionit me debat në Kuvend tha se fakti që kryeministri Edi Rama sot nuk dha llogari siç duhet për McGonigal, është tregues se drejtësia në Shqipëri lë për të dëshiruar. Për të kjo është arsyeja se pse vendi ynë renditet ndër më të korruptuarit në Evropë.
“Akuza e parë është drejtuar ndaj ish zyrtarit të FBI sepse ai ka kryer biznes të padeklaruar, pra është korruptuar, nga oligarku rus Oleg Deripaska. Akuza e dytë është ajo e ngritur se McGonigal ka marrë 225 mijë dollarë amerikanë për çështje të lidhura me Shqipërinë qoftë këto politike, përfshirë dhe një hetim kundër Partisë Demokratike.
Unë nuk bëj dot prokuroren, por sot si qytetare, si deputete dhe si anëtare e Partisë Demokratike kam nevojë për transparencë. U deshën të kalonin pesë vjet, që shqiptarët njësoj si dhe unë, mësuam se McGonigal kishte udhëtuar drejt Shqipërisë në së paku 4 herë duke u takuar po kaq herë me kryeministrin e vendit.
U deshën pesë vite, që refreni i rublave ruse të merrte një kuptim tjetër. Një kuptim që nis nga takimet e kryeministrit me ish drejtorin e FBI dhe përfundon në tendera dhe koncesione për rublat ruse”,-tha Tabaku.
