‘‘Ardhja e klerikëve katolikë nga burgu i Shkodrës disi e gjallnoi pjesën katolike të kampit te Tepelenës që përbanin gjysmën e tij, veç me mirditorët e malësorët, që ruenin ne vetvete besimin e tyne me devocion. Në këto rrethana, një ma i gjallë dhe nismëtar i tyne ishte Dom Nikoll Mazrreku, që i kishte ra me qenë në kazermën tonë.
Po afroheshin Pashkët, që binin me 13 Prill. Dom Nikolli ndërhyni pranë Shefit te degës, nëse i lejonin të ngrinin një meshë aty në kamp, ku kishte shumë katolikë. Feja akoma nuk ishte ndalue zyrtarisht, dhe shefi e akordoi lejën. Duke qenë se mungonin sendet e duhuna, për atë ceremoni, na vjen ne takim një i ri Zef Pllumi, qe ma vone me 1958 do shugurohej meshtar e do bahej Pater Zef Pllumi i bjen Dom Nikollit , gjithçka duhej. Dom Nikolli se bashku me klerikët e tjerë, si Jak Gardini, Viktor Volaj, Zef Gilaj e Ferdinand Paci, u aktvizuen e ndihmuen dom Nikollin në këtë nismë.
Si u muer vesh se mesha do të mbahej, gjithë katolikët u gëzuen dhe e quajtën një mrekulli të Zotit. Ndërkohë ne të rijtë, unë, Gjosho Vasija, Karlet Luka, Suzana Topalli, e kushrijt tonë, Gjon, Kristian e Celestina Gjomarkaj, kishim pregatite disa kange te rastit.
Erdhi e diela e Pashkëve, dhe mesha do të ngrihej në qoshën e kazermës së prishun, veç me dy pjese muri në kambë, ku zakonisht te internuemit ndiznin zjarre për gatim kush kishte mundësi e larje teshash të fëmijëve… Gjithë kampi u mblodh aty, katolikë, myslimanë e orthodoksë. Si ditë e diele, punëtorët nuk i çonin në punë. Por Kryesisht familjet e njohuna katolike, Gjomarkaj, Pervizi, Merlika, Mirakaj Sokoli, Mëlyshi, Miri, Topalli, Luka, e tjera familje katolike. Dallohej nanë Mrika e Kapidan Gjonit, me dy vajzat, Marta e Bardha. midis mirditoreve te tyne Aty kishin sjellë edhe Martën e paralizueme në karrikën e saj dy burra mirditorë. Si u mblodhën të gjithë e kur u duk Dom Nikolli me veshjen e rastit, ra heshtje. Dom Nikolli mbajti një fjalë të nivelit të naltë. Mjafton të përmendët fillimi :
-Jemi mbledhë këtu, në këtë qoshe nën këto mure të rrënueme e të nximë por që asht ma madhështore se kishat, katedralet e bazilikat kudo që janë në botë.
Fjala e tij ngjalli emocion të madh, në ato njerëz të shkretë, që të mbyllun aty si berre, kishin humbë edhe nocionin e besimit e të Zotit. Me Dom Nikollin rrinin dhe fetaret e tjerë, si Pater Viktor Volaj, Patër Jak Gardini, Pater Ferdinand Paci, Dom Zef Gilaj. Mesha u përcoll nga kangët e neve të rinjve që i kishim pregatitë siç treguem ma sipër.
Mesha u ndoq me një heshtje e qetësi të madhe, aq ishte ndikuese ajo ceremoni fetare që bahej në kushte të tilla paimagjinueshme. Kishte gra që qanin nga emocioni, të cilave u kishin vdekë fëmijët. Binte në sy pjesmaarrja e grave mirditore me kostumet e tyne.
Një meshë e përveçme, që mjerisht humbet në harresën e pakujdesinë e njerëzve për të ruejt ato çaste të papërsëritshme ma kurrë. Një meshë e përmasave historike, për vendin e kushtet ku ishte zhvillue. Si mbaroi ceremonia dhe njerzit u përfalën me njeni tjetrin tue urue festën e Pashkëve, Dom Nikolli, që kishte sajue një shportë me një sasi vezësh, ua ndau fëmijëve që ishin mbledhë aty. Fëmijë që s’kishin pa vezë me sy, donin t’i kafshonin, ashtu pa qerue Sa na vinte për të qeshë, dhe u tregonim se si hiqej gzhoja e mbasandej te hahej. Ja pra ku kishte arritë puna, që fëmijët të rriteshin pa njofte frutat, deri dhe vezët, të izoluem krejtësisht nga bota e jeta. E s’na qenka ky një kamp i tmerrshëm?”
*Marrë nga predikimi i Imzot Simon Kullit mbajtur në meshën në Kampin e Tepelenës.