Rudina Jasini, ish-avokate e Hashim Thaçit, ka ndarë në emisionin “Now” në Euronews Albania detaje nga procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Jasini tha se pala mbrojtëse është përballur me një proces të vështirë, ndërsa ngriti pretendime mbi mënyrën e zhvillimit të gjykimit dhe administrimit të provave.
Sipas saj, në disa raste gjyqtarët kanë bërë pyetje përtej atyre të parashtruara nga prokuroria, ndërsa një pjesë e dokumenteve të përdorura në proces, sipas saj, janë dorëzuar nga Serbia.
“Si mundet që gjyqtarët të bënin pyetje që kapërcenin pyetjet e prokurorisë, në kërkim të asaj që është e vërtetë? Gjyqtari gjerman nuk ka qenë as gjyqtar në Gjermani, por ish-prokuror. Është absurde të bësh pyetje përtej asaj që kërkon prokuroria”, deklaroi Jasini.
Ajo tha gjithashtu se mbrojtja është përballur me një numër të madh juristësh nga pala e akuzës dhe se, sipas saj, mënyra e paraqitjes së çështjes nga prokuroria ka krijuar konfuzion.
“Një pjesë e dokumenteve i janë dhënë kësaj gjykate nga Serbia. Jemi përballur me një ushtri juristësh të prokurorisë, e cila që në fillim ka pasur një predispozitë të caktuar se si e ka trajtuar akuzën. Mbrojtja ka bërë maksimumin duke pasur parasysh rrethanat.
Mënyra si e ka paraqitur prokuroria ishte që një dëshmitar mund të kishte lidhje me një çështje të vitit ’98, një tjetër brenda javës kishte të bënte me një çështje tjetër të vitit ’99. E gjitha ishte për të krijuar sa më shumë konfuzion”, u shpreh ajo.
Një tjetër çështje e ngritur nga Jasini lidhet me dëshmitë e administruara gjatë procesit. Ajo pretendoi se mbi 130 dëshmi janë pranuar në bazë të deklaratave me shkrim, pa u dëgjuar drejtpërdrejt në sallën e gjyqit.
“Mbi 130 dëshmitarë janë pranuar vetëm mbi bazën e deklaratave me shkrim, pra pa iu testuar në sallën e gjyqit dëshmia që jepnin”, tha Jasini.
