Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se takimi në Bruksel nuk ka pasur asnjë rezultat për shkak të kushtëzimit të Serbisë për themelimin e Asociacionit.
Pas takimit me presidentin Aleksander Vuçiç, Kurti para mediave tha se kanë propozuar plan për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, ndërsa shtoi se pala serbe nuk kishte asnjë propozim, por kushtëzonte me themelim të Asociacionit.
Ai theksoi se nuk mund të pranohet propozimi i Serbisë për të filluar me Asociacionin dhe më pas me pikat e tjera.
“Nuk jemi në prillin e vitit 2013. Kjo nuk është marrëveshja e vitit 2013. Nuk mund nga 39 marrëveshje të përzgjidhet vetëm njëra dhe të vendoset si qerrja para kuajve”, ka deklaruar Kurti.
Ai kritikoi edhe Lajçakun për rolin e tij si ndërmjetësues në dialog.
“Është për të ardhur keq që Lajçak ka pranuar një kushtëzim të tillë dhe këtë e ka bërë në cenim të rolit të tij si lehtësuar dialogun”, shtoi Kurti.