Dalin detaje të reja nga aksidenti i rëndë i ndodhur në Vlorë, ku humbën jetën dy punëtorë pas përmbysjes së kamionit. Sipas policisë, shkak për aksidentin dyshohet të jetë bërë shpejtësia e lartë. Drejtuesi i kamionit dhe pasagjeri kishin ngarkuar kamionin me zhavor dhe ishin duke zbritur nga zona e Kaninës për në Orikum.
Mbetet ende e paqartë nëse bëhet fjalë për ndonjë defekt apo nuk kanë funksionuar frenat, por drejtuesi i automjetit i cili nga frika se mos dilte nga rruga dhe binte poshtë në humnere është kthyer në mes të rrugës dhe është përplasur me anën e shkëmbit. Përplasja ka qenë shumë e fortë sa të dy trupat kanë dalë nga xhami i kamionit, dhe ngarkesa me zhavor i ka mbuluar të dy trupat.
Një prej punëtorëve është identifikuar dhe duket, ndërsa për trupin e viktimës tjetër vazhdojnë ende kërkimet. Zjarrfikësit, policia, por dhe ambulanca ndodhen në vendngjarje.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm, rreth orës 10:40, në bypasin Orikum-Kaninë, ku po kryhen punime.
