Deri më sot kish ndodhur e kundërta! Zakonisht persona nga vende totalitare apo komuniste, dezertojnë drejt vendeve demokratike. Por e kundërta ka ndodhur në Korenë e Jugut.
Një shtetas i Koresë së Jugut ka kaluar kufirin e fortifikuar me Korenë e Veriut në një dezertim të dukshëm, njoftoi vetë ushtria koreano-jugore.
Personi ishte në gjendje t’i shmangej zbulimit për disa orë, pavarësisht një operacioni kërkimi nga trupat e Koresë së Jugut.
Shefat ushtarakë në Seul thanë se nuk e dinin nëse personi ishte ende gjallë, por i kishin dërguar një mesazh Veriut duke e njoftuar për këtë incident.
Koreja e Veriut ka zbatuar një linjë të ashpër gjatë pandemisë, madje duke autorizuar policinë dhe ushtrinë që të qëllojë me armë pa paralajmërim ndaj personave që hyjnë në kufi ilegalisht.
Personi u zbulua në Zonën e Çmilitarizuar (DMZ), e cila ndan dy Koretë, në një pikë në bregun lindor rreth orës 21:20 me orën lokale ditën të shtunën. Zyrtarët e mbrojtjes në Seul ishin zotuar të riparonin sistemin e mbrojtjes kufitare pas shkeljeve të ngjashme në të kaluarën.
Në shtator 2020, trupat e Koresë së Veriut qëlluan dhe dogjën një varkë peshkimi të Koresë së Jugut. Personi në këtë varkë u zhduk në det. Ngjarja shkaktoi bujë, ndërsa Pheniani fajësoi rregullin antivirus dhe kërkoi falje.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, më herët kishte shpallur një emergjencë kombëtare dhe kishte mbyllur një qytet pasi një dezertor koreano-verior, për të cilin Kim tha se kishte simptoma të Covid, kaloi në Veri nga Jugu.
Bllokimi i Koresë së Veriut lidhur me pandeminë dhe kufizimet e lëvizjes brenda vendit kanë ulur gjithashtu numrin e dezertimeve nga Veriu në Jug.
Kufiri midis Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut është një nga zonat më të fortifikuara në botë. E gjithë vija është e mbushur me mina tokësore, e rrethuar me gardhe me tela elektrikë dhe me gjemba dhe kamera vëzhgimi, si dhe rojet e armatosura që janë në gatishmëri 24 orë në ditë.