Në mars të këtij viti ish kreu i prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha dha dorëheqjen nga organi i akuzës duke mos kaluar kështu procesin e vettingut.
Por ndërkohë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ka referuar në prokurori për hetime penale dosjen ndaj Fushës.
Lexo edhe- Jep dorëheqjen para se të kalojë vetingun, kush është prokurori në Prokurorinë e Përgjithshme
“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se ka referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, raportin me rezultatet përfundimtare të hetimit administrativ, për ish-prokurorin, z. Petrit Fusha, në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar për gjyqtarët dhe prokurorët në Republikën e Shqipërisë. Lidhur me rastin, Komisioni ka vënë në dijeni edhe Prokuroren e Përgjithshme”, thuhet në njoftimin e shkurtër të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës dha dorëheqjen në shkurt pasi u njoh me rezultatet e hetimit 1-vjeçar kundër tij nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, duke i kursyer vetes ballafaqimin me barrën e proves, shkruan BIRN.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e nisi procesin e vetingut për Petrit Fushën në janar të vitit 2018 dhe e përfundoi hetimin kryesisht në shkurt 2019.
Petrit Fusha ka ushtruar detyrën e prokurorit nga viti 1997 deri më 28 shkurt 2019, kur vendosi të largohej me dorëheqje nga sistemi. Ai ka punuar në prokurorinë e Tiranës për një periudhë 15 vjeçare dhe u emërua drejtues i kësaj prokurorie në vitin 2013. Në vitin 2017, Fusha u transferua në Prokurorinë e Përgjithshme.
Pas vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për mbarimin e statusit të magjistratit, edhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të ndërpresë procesin e vetingut për Fushën, bazuar në nenin G të Aneksit të Kushtetutës.