Më 2 maj të vitit 2011, forcat speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vranë liderin e organizatës terroriste Al-Kaida, Osama bin Laden. Dhjetë vjet pas vrasjes së tij, ushtarët amerikanë do të largohen nga Afganistani.
Kush ishte Osama Bin Laden?
Terroristi më i kërkuar i botës, Osama bin Laden, ishte 54 vjeç. I fajësuar për aktet më të rënda terroriste në të paktën 3 kontinente, Osama bin Laden ishte objektiv i ndoshta operacionit më të madh amerikan në histori. Pas sulmeve katastrofike në Nju Jork dhe Uashington më 11 shtator 2001, Presidenti Bush u zotua publikisht të gjente personin që mendohej të ishte organizatori i sulmeve, Osama bin Ladenin.
I rritur në mes të pasurisë së klasës së lartë të Arabisë Saudite e bashkë me pjesëtarë të familjes mbretërore në fuqi, bin Laden përfundoi studimet në inxhinjeri dhe dukej se do të punonte në biznesin e familjes. Por jeta e tij ndryshoi përgjithmonë kur në vitin 1979, ish Bashkimi Sovjetik pushtoi Afganistanin.
Bin Laden, si shumë myslimanë, mori pjesë në luftën kundër sovjetikëve, megjithëse fillimisht ai u angazhua në mbështetjen logjistike për rekrutët e rinj mes forcave muxhahedine afgane, të njëjtat forca që u mështetën nga Shtetet e Bashkuara. Por nga mesi i viteve 80-të, bin Laden vendosi të përdorë një pjesë të pasurisë së familjes për të krijuar milicinë e tij, e cila më vonë u bë e njohur si “al-Kaida” që do të thotë Baza.
Pas tërheqjes së sovjetikëve nga Afganistani, bin Ladeni u kthye në atdhe, por mbajti lidhje me veterenët e luftës afgane dhe ishte i interesuar në kauza të tjera afgane.
Ndërsa u angazhua përsëri në politikat afgane, bin Ladeni vazhdoi betejën globale kundër Shteteve të Bashkuara. Thuhet se ai kishte rol qendror në bombardimet më 1998 në ambasadat amerikane në Kenia dhe Tanzani.
Ndalimi i Osama bin Ladenit u bë përparësia kryesore e Shteteve të Bashkuara pas sulmeve të vitit 2001, nga të cilat u vranë më shumë se 3 mijë njerëz. Kur talebanët refuzuan t’ua dorëzonin udhëheqësin e al-Kaidës autoriteteve amerikane, Shtetet e Bashkuara ndërhynë ushtarakisht në Afganistan, duke dëbuar talebanët nga ai vend në dhjetor të vitit 2001 dhe duke e detyruar Osama bin Ladenin që të fshihej.
Që prej atëhere, bin Ladeni bëri publike disa videokaseta, në të cilat dënonte Shtetet e Bashkuara, duke shkaktuar edhe shumë pakënaqësi e iritim për Uashingtonin, irritim që tani ka marrë fund.


