Për 8 vepra penale i referoi policia materialet procedurale në prokurorinë e Tiranës, për 6 protestues të arrestuar për sulme të dhunshme në protestën e së shtunës. Por për herë të parë, që nga nisja e protestave në Tiranë, sulmet me molotovë ndaj bluve, me gurë, lëndë piroteknike dhe me sfera dhe vida metalike përmes llastiqeve, të arrestuarit referohen përballë një vepre të rëndë penale, “Vrasja e punonjësit të Policisë”, e mbetur në tentativë.
Nga veprime hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, për tubimin e së shtunës që nisi në mesditë nga Ministria e Arsimit, dhe u zhvendos për tu mbyllur në mbrëmje te kryeministria, policia thotë se ka bërë dokumentimin ligjor të akteve të dhunës, për të paktën 11 protestues.
6 u arrestuan, Andi Shtepani, 26 vjeç. Leonardo Kola, 18 vjeç, Frenkli Çullhaj, 38 vjeç, një i huaj, Kevin Radosevich 35 vjeç dhe dy të mitur. Ndaj 3 protestuesve të tjerë nisi hetimi në gjendje të lirë, ndërsa 2 të tjerë u shpallën në kërkim.
Policia publikoi video të protestuesve të cilët dolën sërish me maska dhe nuk u tërhoqën nga sulmet, as pas thirrjes me megafon të uniformave blu. Dy të arrestuarve, Andi Shtepani 26 vjeç dhe Leonardo Kola, 18 vjeç, iu gjetën dhe sekuestruan edhe bomba molotovë, të cilat gjatë protestës u panë të hidhen ndaj efektivëve dhe mjeteve që të policisë kryesisht në makinat ujë hedhëse.
Vepra të tjera penale në ngarkim të të arrestuarve, janë pjesëmarrje në tubim të paligjshëm, prishje e qetësisë publike, kundërshtim i forcave të policisë, shkatërrim i pronës me zjarr, dhe mbajtja e armëve shpërthyese.
Jashtë vëmendjes të policisë, nuk mbeti as djegia e kazanëve të mbeturinave dhe vendosja e tyre në mes të rrugës përpara ministrisë së Arsimit, por edhe në zona të tjera të kryeqytetit ku protestuesit marshuan gjatë mbrëmjes, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve të transportit.
Përgjatë gjithë tubimit të së shtunës, policia iu kundërpërgjigj sulmeve me ujëhedhëse dhe gaz lotsjellës që pasoi me shpërndarjen e protestuesve.
TË ARRESTUAR
Andi Shtepani 26 vjeç
Leonardo Kola, 18 vjeç
Frenkli Çullhaj 38 vjeç
Kevin Radosevich.35 vjeç (i huaj)
2 të mitur
Njoftimi i Policisë:
Tiranë / Kundërshtuan dhe goditën me sende të forta, lëndë piroteknike, bomba molotov, sfera dhe vida metalike punonjësit e Policisë, bllokuan qarkullimin dhe dogjën kazanë mbeturinash; arrestohen 6 shtetas, procedohen penalisht 3 të tjerë dhe shpallen në kërkim 2.
Sekuestrohen bomba molotov.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme, u arrestuan shtetasit:
A. Sh., 26 vjeç, L. K., 18 vjeç, F. Ç., 38 vjeç, K. R., 35 vjeç (shtetas i huaj), si dhe 2 shtetas të mitur.
Gjithashtu, u proceduan penalisht 3 shtetas dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë.
Gjatë kontrolleve, shtetasve L. K. dhe A. Sh. iu gjetën dhe iu sekuestruan bomba molotov.
Specialistët për Hetimin e Krimit, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit, identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Vrasja e punonjësit të Policisë”, e mbetur në tentativë, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.
