Policia e Pejës ka konfirmuar arrestimin e infermiereve për rrahjen brutale të të moshuarës në Pejë.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.
“Me shqetësim kemi parë të gjithë pamjet e keqtrajtimit të një gruaje të moshuar nga një grup vajzash, në një shtëpi të përkujdesjes së të moshuarve në Pejë. Nga Policia e Kosovës jam njoftuar që deri më tani janë arrestuar dy nga dhunueset dhe hetimet po vazhdojnë. Fuqishëm bëj thirrje për sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të implikuar në këtë akt çnjerëzor”, ka shkruar Sveçla.
Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale shihet se si disa punonjëse në shtëpinë e të moshuarve “Orenda” kanë sulmuar fizikisht një grua të moshuar. Njëra prej punonjësve shihet në video duke goditur të moshuarën, kurse koleget e saj dëgjohen teksa “shkrihen së qeshuri” nga kjo skenë e rëndë.