“Rastet e shumta dhe konfliktet në shoqërinë shqiptare kanë ngritur edhe shqetësimin e sociologëve. Sipas tyre, shoqëria shqiptare ka dalë nga busulla, dhe kjo për faktin pasi jo vetëm fëmijët, por edhe të rinjtë dhe mosha e rritur po përfshihen në konflikte banale duke gjeneruar vrasje dhe dhunë”, thotë gazetarja e Tv Klan Erikleda Dorezi.
“Ne kemi një situatë të përhapjes së dhunës në shoqërinë shqiptare. Dhuna është bërë patologjia kryesore në jetën e sotshme të shoqërisë shqiptare. Pra, është bërë një linjë që rrjedh kudo, dhe të përfshirë në këtë situatë objektet e sherrit dhe krimit janë shtuar shumë dhe subjektet e përfshira janë shumë. Dhunë në familje, dhunë në shkollë, dhunë në punë, në ambiente publike, në rrugë… një neurotizëm social i jashtëzakonshëm. Konfliktet në shoqërinë tonë nuk zgjidhen në mënyrë humane, por në mënyrë kriminale, me dhunë, me vrasje, dhe krimi po banalizohet në mënyrë të keqe”, tha Tushi.
Sociologët ngrenë alarmin për gjenerimin e kësaj dhune, sipas të cilëve në krye të saj qëndron familja. Kjo e fundit po ndërton “bishën kriminale”, siç e quajnë ata.
“Kjo dhunë gjeneron nga familja. Familja është fabrika sociale më e rëndësishme; brenda familjes ndërtohet njeriu human apo bisha, apo njeriu kriminal. Ne kemi nevojë të ngremë alarmin, nuk mund të bëjmë moralin e strucit dhe të mos kuptojmë që kriminaliteti po bëhet i jashtëzakonshëm”.
Sipas sociologëve, dhuna dhe krimi në familje përbëjnë edhe numrin më të lartë të rasteve kriminale; për këtë arsye duhet të tregohet më kujdes në familje, shkollë dhe shoqëri./Klan
