Në seancën e kësaj të marte, gjykata e Korçës ka lënë në burg Durim Toskën, ish-drejtorin e burgut të Fushë-Krujës. Ai u arrestua në flagrancë për dhunë ndaj gruas së tij dhe armëmbajtje pa leje. Bashkëshortja e tij kishte urdhër mbrojtje nga gjykata, ndërsa arrestimi i Durim Toskës erdhi pas kontrollit të bërë nga policia e Pogradecit që i gjeti edhe një armë pa leje në banesë.
Arrestimi i tij u mësua 1 orë pasi zyra e shtypit e Ministrisë së Drejtësisë informoi për shkarkimin e Toskës nga posti i Drejtorit të Institucionit të Ekzekutimit të Veprave Penale në Fushë Krujë.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja kishte ndërmarrë këtë hap pas propozimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, duke e bazuar vendimin në kritere etike dhe ligjore të cenuara nga Durim Toska.
