Di Maria ka qenë kryefjala e lajmeve ditët e fundit për shkak të disa kërcënimeve që ka marrë nga disa fansa, të cilët ishin kundër rikthimit të tij të mundshëm në qytetin ku ai lindi, Rosario.
Një makinë e dyshimtë, me siguri në pronësi të disa eksponentëve të trafikut lokal të drogës, hodhi një tabelë të zezë para shtëpisë së tij në Rosario, ku lojtari qëndron zakonisht gjatë vizitave të tij në Argjentinë. Në tabelën, drejtuar prindërve të sulmuesit, shkruhej: “Thuaji djalit tënd, Engjëllit, të mos kthehet më në Rosario, sepse në të kundërtën do të vrasim një anëtar të familjes së tij.
Një episod që përloti lojtarin e Benfikës, sipas deklaratave të shokut të tij së skuadrës në kombëtare, Rodrigo De Paul. Ish-mesfushori i Udineses, në fund të fitores miqësore të Argjentinës kundër Kosta Rikës, u ndal në temën për “TyC Sports”.
“Pas fitores së Argjentinës, në mëngjes e pashë të mërzitur, me lot në sy. Di Maria është një person që nuk e meriton t’i ndalohet kthimi në Argjentinë. Më dhemb shumë që këto gjëra ndodhin në vendin tonë. E di shumë mirë se çfarë ka ndodhur dhe më duket shumë serioze. Besoj se dashuria që ka për vendin e tij, për qytetin, për klubin e tij nuk do të ndryshojë. Të shohim se çfarë vendimi do të marrë, nuk është e lehtë, do të jetë në dorën e tij ta marrë. Por ne jemi me të, ai është shumë i rëndësishëm për ne dhe këtë e dëshmon ovacioni që mori sot në momentin e zëvendësimit”.