Në 85 shtete dhe janë 245.808 fletë votimi. Këto janë shifrat zyrtare për emigrantët shqiptarë që janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Numri më i madh i fletëve të votimit do të dërgohet në Itali, plot 91.210 të tilla, ndërsa më pas vijnë Greqia, Gjermania, SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar me një numër të konsiderueshëm emigrantësh të regjistruar.
Interesante është se një fletë votimi do të shkojë në shtete si: Fixhi, Gjeorgjia, Isle of Man, Jordania, Lihtenshteini, Madagaskari, Moldavia, Monako, Filipinet, Koreja e Jugut, Irani, Republika Demokratike e Lao’s dhe Venezuela.
Në listën e gjerë të shteteve të pazakonta, nga ku shqiptarët kanë shfaqur interes për të votuar janë edhe Kazakistani, Liberia, Kili, Ishujt Faroe, India, Brazili, Meksika, Vietnami, Tajlanda, Singapori dhe Malajzia.
Më 5 prill do të nisë procesi për përgatitjen e materialeve zgjedhore dhe më 10 prill pritet që fleta të dërgohet drejt zgjedhësve jashtë vendit. “Më 5 prill, tek Parku Olimpik nisim përgatitjen e materialeve zgjedhore (mbushjen e zarfeve) që më pas i nisim në diasporë. Ambienti kënaq nevojat e të gjithë palëve”, tha kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi.