Gjatë takimeve të fundit Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu u ka kërkuar drejtuesve të institucioneve të marrin masa për përballimin e situatës dimërore. Bashkitë janë porositur të kenë në gatishmëri mjetet për hapjen e rrugëve rurale, ato nacionale për sigurimin e kripës, skories, ndërkohë drejtoritë e Shëndetit Publik për mbajtjen në gatishmëri të qendrave shëndetësore në të gjithë territorin.
Drejtues të DSHP-ve pohuan se ka nisur dhe është drejt përfundimit furnizimi me ilaçe shtesë i qendrave shëndetësore në zonat e thella.
“Paketa suplementare, dru zjarri, vaksina, etj janë dërguar në të gjitha qendrat shëndetësore në njësitë administrative Lurë, Kala e Dodës, Macukull, Xibër, Martanesh, Selishtë, Ostren e Trebisht. Gjendja është normale dhe kujdesi do të vazhdojë”, u shprehën drejtuesit e shëndetësisë të rretheve Dibër, Mat e Bulqizë. /tirananews.al/