Veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare i kanë adresuar sot një kërkesë këshillit të Qarkut Dibër duke kërkuar vlerësimin e figurës së ish Presidentit të vendit gjatë regjimit komunist, Haxhi Lleshi.
“Organizata e veteranëve të LANÇ-it Dibër kërkon që ish Presidenti Haxhi Lleshi të shpallet “Nderi i Qarkut Dibër” dhe në nderim të tij të ngrihet në qytetin e Peshkopisë një bust kushtuar atij”, pohuan për tirananews.al zyrtarë të Qarkut Dibër.
Mësohet se këshilli nuk e mori në shqyrtim këtë kërkesë të organizatës së veteranëve, pasi ajo është dërguar me vonesë në Këshillin e Qarkut. Ky vlerësim kërkohej me rastin e 75 vjetoririt të Çlirimit të vendit nga pushtuesit. Vite më parë drejtuesit e PD-së dhe pushtetit lokal kanë vlerësuar kundërshtarë të regjimit komunist, duke shkaktuar indinjatë te veteranët e LANC-it dhe qytetarët dibranë. /tirananews.al/
Kush ishte Haxhi Lleshi ?
Ish Presidenti Haxhi Lleshi lindi në Dibër në vitin 1913 dhe vdiq në vitin 1998. Në vitet 1920-1926 punoi si çoban në vendlindje. Më 1926-1931 ndoqi shkollën fillore, më pas ndoqi një klasë gjimnaz në gjuhën shqipe dhe të dytën e të tretën në gjuhën serbo-kroate, në Shehër të Dibrës. Në vitet 1940-1941 internohet nga jugosllavët në Vranjë dhe Shkup. Në vitet 1941-1942 qëndroi në Peshkopi dhe Mat. Në qershor të 1942 është komandant i një çete partizane në Peshkopi. Më 1943 bëhet anëtar i PKSH-së. Në vitet 1943-1944 është anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Më 1944-1946 anëtar i KANÇ-it dhe ministër i Punëve të Brendshme. Më 1946-1948 qe ministër pa portofol. Gjatë kohës që ishte në krye të MPB nënshkroi autorizimin për dërgimin e mijëra kosovarëve të Shqipërisë së Mesme, nga Tirana, Durrësi, Lushnja e Kavaja. Më 1948-1949 qe kryetar i Komisionit të Kontrollit të Shtetit. Më 1949-1953 shërbeu si drejtor i Drejtorisë së Personelit në Ministrinë e Mbrojtjes. Në të gjitha legjislaturat nga 1946 deri më 1992 u zgjodh deputet. Më 1953-1982 qe president i Presidiumit në Kuvendin Popullor. Më 1966-1991 qe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Në shkurt të 1991, anëtar i Këshillit Presidencial. U burgos për genocid. Vdiq në Tiranë më 1998.