Vendimmarrja e Alban Zenelit, ish-deputetit të PD-së për të marrë mandatin e lënë nga Flamur Noka ka lënë pa fjalë këtë të fundit.
Noka dhe kreu i PD-së së Kukësit, Arif Rexhmati, të kontaktuar nga gazeta “Panorama”kanë thënë se kanë mbetur pa fjalë nga ky vendim i kolegut të tyre. Ndërkohë Zeneli I renditur I treti në listën shumëemërore të PD-së për qarkun Kukës dorëzoi formularin e dekriminalizimit në KQZ, duke i hapur rrugë hyrjes në Parlament.
Ai nuk është i pari që ndërmerr një veprim tëtillë, por habiti të gjithë pasi një javë më parë ra në sy edhe qëndrimi publik që ai mbajti në protestën përpara Parlamentit.
“Edi Rama, Qarkut të Kukësit i solli vetëm mjerim, varfëri dhe emigrim. Mandati nuk është i yni, por i qytetarëve të Kukësit, Tropojës, Hasit, qytetarëve që votuan PD-në”, tha Zeneli në protestë.
KQZ-ja në mbledhjen e sotme i dha mandatin Zenelit, dikur shok i ngushte me Flamur Nokën. Nderkohe mesohet qe edhe Ralf Gjoni, ish keshilltar i Ilir Metës si Kryetar Kuvendi ka dorëzuar sot në KQZ formularin e dekriminalizimit për ti hapur rrugë pranimit të mandatit. KQZ i ka dhënë mandatin edhe Ligoraq Karamelos nga lista e Partisë Demokratike në qarkun e Korçës.
Karriera
Gjatë qeverisjes së PD-së, Alban Zeneli ka mbajtur detyrën e zv.drejtorit të Shërbimit Informativ Ushtarak dhe këshilltarit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Arben Imamit. Gjatë viteve 2013-2017, Zeneli është zgjedhur deputet në Qarkun e Kukësit. Në Kuvend, ish-deputeti i PD-së ka qenë anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, kjo edhe për shkak të formimit të tij. Në CV-në e dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Zeneli deklaron se ka kryer arsimin e lartë dhe master në fushën e Sigurisë.
Ndërkohë, në formularin e dekriminalizmit Zeneli pranon se është dënuar dy herë me vendime gjyqësore të shkallës së prerë. Në gusht të vitit 1992, Zeneli është dënuar me 6 muaj heqje lirie për shkak të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor. Zeneli është dënuar me vendim të formës së prerë edhe në vitin 1996 me 30.000 lekë gjobë, për veprën penale të kundërshtimit të punonjësve të Policisë dhe prishje të qetësisë publike.