Vendimi për të ndaluar hyrjen në SHBA të ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe familjarëve të tij ka befasuar opinionin publik në Shqipëri, ndonëse sinjale të pakonfirmuara kishin qarkulluar me parë për emra zyrtarësh shqiptarë. Të paktë kanë qenë gjithsesi zyrtarët dhe politikanët e nivelit të lartë që kanë reaguar.
Në ato pak deklarata publike deri tani është e vështirë të dallohen spekulimet e thashethemet nga hamendësimet për të ardhmen e fatit politik të zotit Berisha.
Një nga pyetjet kryesore që kanë qarkulluar në reagimet e njerëzve është se pse një vendim i tillë vjen pikërisht tani.
I pyetur nga “Illyria”, gazeta shqiptaro-amerikane në New York, se pse një vendim i tillë vjen në këtë kohë, një zyrtar i Departamentit të Shtetit u shpreh se tani, Sekretari i Shtetit ka në dispozicion “informacion të besueshëm lidhur me përfshirjen e Berishës në korrupsion të ndjeshëm dhe përpjekje për të ndërhyrë në proceset publike, si dhe shpërdorim të fondeve publike në Shqipëri”.
Vetë Sali Berisha, figura historike e Partisë Demokratike, tashmë i tërhequr nga drejtimi aktiv i partisë, është përgjigjur me një shënim në Facebook, ku hedh poshtë akuzat, radhit sukseset e kohës kur ishte në krye të qeverisë, lavdëron miqësinë me Amerikën dhe fton Sekretarin që të tregojë me fakte korrupsionin e tij.
Zyrtari i cili preferoi të mos identifikohej me emër, i tha gazetës “Illyria” se qeveria e Shteteve të Bashkuara po e bën të qartë se nuk do të angazhohet me individë të korruptuar si Berisha, që të mos përfitojnë mbështetje dhe kredibilitet. Blinken e cilësoi ish-kryetarin e PD-së si një individ për të cilin Sekretari i Shtetit është qartësuar se ka kryer akte korrupsioni në kurriz të popullit shqiptar.
Ndërkaq diplomatja dhe politikania e njohur kosovare, Edita Tahiri shkruan se Berisha do mbetet lider historik i kombit shqiptar. Sipas saj ai udhëhoqi me vizion dhe vendosmëri drejt Shqipërisë demokratike dhe Euro-Atlantike dhe aleancës strategjike me Amerikën, duke bërë kthesën historike nga komunizmi në demokraci.
Diplomati i njohur italian dhe ish-ambasador i këtij vendi në Shqipëri, Paolo Foresti, duke komentuar vendimin amerikan për Berishën tha: “Berisha ka 8 vjet që nuk ka asnjë funksion aktiv politik dhe ka një vit që nuk ka imunitet parlamentar, kështu është i lirë për t’u ndjekur dhe gjykuar”.
Çfarë baze juridike ndërkombëtare ka ky vendim pyet ai?
Në fakt dilema kryesore që mbetet e paqartë tani është fati politik i ish-kryeministrit i zgjedhur se fundmi si deputet në legjislaturën e re parlamentare që nis në Shtator, për të cilin duket se në radhë të parë do të vendosë vetë ai. Ndërsa ka sfiduar DASH që të paraqesë prova, Berisha do të dalë publikisht në orën 18:00, ndoshta për t’i dhënë përgjigje edhe kësaj dileme.
