Matjanët u përballën në javën e shtatë të Kategorisë së Parë me Dinamon, në stadiumin “Liri Ballabani” të Burrelit.
Pas deklarimeve të shumta nga kampet e dy ekipeve erdhi përballja mes dy ekipeve pretendente për t’u ngjitur një kategori më lart.
Ndeshja prodhoi dy tablo të ndryshme. Pjesa e parë u zhvillua nën nivelin mesatar nga të dyja skuadrat. Ndërkohë pjesa e dytë, “foli” e gjitha për “Mbretërorët” e Samuel Nikës. Disa herë Raboshta dhe kolegët e tij “mësyen” drejt portës mike, por nuk e gjetën rrjetën.
Në minutat e fundit të takimit vendasit pretenduan për një penallti, por kryesori drejtoi dorën pak centimetra larg zonës së 16 metrave. Pati reagime të lojtarëve dhe drejtuesve të skuadrës por arbitri nuk e ndryshoi vendimin e marrë.
Ndeshjen jo vetëm e ndoqi nga tribuna VIP kryetari i Bashkisë së Matit, Agron Malaj, por ai premtoi premio në rast fitorje të skuadrës së Burrelit.