Qeveria ka ndërmarrë një nismë ligjore me të cilën thotë se ka qëllim plotësimin sa më parë të nevojave për mjekë që ka vendi si dhe në sigurimin e ofrimit te shërbimit shëndetësor për periudhat ne vijim.
Pr/ligji i cili nuk ka dalë në konsultim publik u prezantua nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu për gazetarët pas mbledhjes së qeverisë mesditën e 5 korrikut 2023, e disa orë më pas u dorëzua në Kuvend ku kërkohet të kalohet me procedurë të përshpejtuar.
Në nenin 4 të pr/ligjit thuhet se për studenti nënshkruan marrëveshje, para regjistrimit të tij si fitues në këtë program. Marrëveshja lidhet ndërmjet tij, ministrisë përgjegjëse për arsimin, ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë dhe institucionit të arsimit të lartë publik për të punuar në profesionin e mjekut pas përfundimit të studimeve, për jo më pak se 5 (pesë) vite në institucionet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë.
Gjithashtu studenti pranon kalimin zyrtarisht të diplomës përkatëse të arsimit të lartë nga institucioni publik i arsimit të lartë, ku ka përfunduar studimet, në institucionin shëndetësor ku punësohet, deri në shlyerjen e detyrimeve për punësim sipas afatit 5 (pesë)-vjeçar, me të drejtën që pas përmbushjes së detyrimit të punësimit të tërheqë diplomën universitare. Në nenin 5 të pr/ligjit lihet të kuptohet që punësimi mund të jetë në institucion shëndetësor në Republikën e Shqipërisë, publik ose privat.
Kur shteti s’të gjen punë për 1 vit
Në nenin 6 të pr/ligjit thuhet se në rast mospunësimi të studentit brenda 1 (një) viti kalendarik, nga data e lindjes të së drejtës për punësim, sipas legjislacionit në fuqi, konsiderohet i përmbushur detyrimi sipas përcaktimeve të këtij ligji dhe ka të drejtën të pajiset me diplomën përkatëse universitare”.
Kur nis efektet ligji?
Ky ligj i shtrin efektet në një periudhë 3 vjeçare duke nisur nga viti akademik 2023-2024. “Masat do të fillojnë nga viti akademik 2023-2024 deri në vitin akademik 2027-2028, për pasojë efekti i tij do të jetë i përkohshëm, që të investojmë në ndërtimin e një sistemi shëndetësor kombëtar të fortë, rezistent, për të përmirësuar kapacitetet, duke ruajtur forcën e punës në shëndetësi dhe duke promovuar kujdesin social, njëlloj i rëndësishëm me atë shëndetësor” thuhet në relacionin e përgatitur nga ministria e Arsimit dhe dorëzuar Kuvendit. Do të vlerësohen kërkesat e studentëve për të nënshkruar marrëveshje dhe për të përfituar sipas këtij ligji, numri i këtyre studentëve që do të punësohen pas këtij viti duke qenë se përfshihen edhe studentët e ndërmjetëm. Në vijimësi do të vlerësohet dhe numri i studentëve që do të përfitojnë çdo vit dhe mbulimi i nevojave për staf shëndetësor.
Nuk paguajnë tarifë studimi
Nëse studentët e Mjekësisë firmosin marrëveshjen, ata përfitojnë nga e drejta për të mospaguar detyrimet financiare që lidhen me pagimin e tarifës së studimeve për gjatë viteve që do të ndjekin programin e studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme”.
Punësim specializimi afatgjatë
Do tu llogarihet punësim edhe periudha e specializimit afatgjatë, pavarësisht llojit të kuotës së fituar, ku një pjesë e studentëve përveç se kryejnë procesin e specializimit në strukturat shëndetësore përkatëse, edhe do të paguhen.
Program Strehimi
Studentët që kanë nënshkruar marrëveshje kanë përparësi në përfshirjen në programet sociale të strehimit. Masa e subvencionimit të interesave të kredisë për strehim, llogaritet si diferencë midis interesit të dakordësuar me institucionet financiare dhe interesit që paguan studenti. Kjo vlen edhe për studentët e ndërmjetëm, që aktualisht ndjekin këtë program studimi në institucionin e arsimit të lartë publik. Efektet e zbatimit të këtij projektligji vlejnë vetëm për vitet e mbetura për të kryer nga ana e tyre
Me vullnet të lirë
Sipas pr/ligjit respektohet vullneti I lirë, jo detyrim, i çdo studenti për të vendosur vetë nëse do të përfitojë nga të drejtat e përcaktuar në këtë ligj, me nënshkrimin e marrëveshjes apo në të kundërt do të përballojë tarifën e studimeve deri në nivelin e kostos së tyre, sipas metodologjisë së përcaktuar me akt nënligjor.
Qeveria e kërkon me emergjencë
Këshilli i Ministrave i propozon Kuvendit që pr/ligji të shqyrtohet dhe miratohet me procedurë të përshpejtuar për shkak të nevojës emergjente që paraqitet për miratimin dhe hyrjen në fuqi të tij, para fillimit të procedurave për aplikimin dhe regjistrimin e kandidatëve për studentë në fushën e mjekësisë për vitin e ri akademik 2023-2024. “Në këtë aspekt theksojmë se duke qenë se viti i ri akademik fillon më datë 02.10.2023 dhe aplikimet për të përzgjedhur programet e studimit fillon gjatë muajit korrik, vlerësojmë se është shumë e domosdoshme që ligji të ketë hyrë në fuqi para zhvillimit të procedurave për regjistrim nga studentët me qëllim që ata të njihen me përmbajtje e ti dhe të merren të gjitha masat e nevojshme për zbatim” thuhet në relacion.
Mund të punësohet dhe në privat
Në nenin 5 të pr/ligjit shkruhet se nëse student nuk pranon të firmosë për të punuar në një institucion shëndetësor në Republikën e Shqipërisë, publik ose privat, atëherë ai do të paguajë tarifën e studimit e cila do të jetë e re. “Studenti, që nuk pranon të nënshkruajë marrëveshje për të punuar në një institucion shëndetësor në Republikën e Shqipërisë, public ose privat, nga data e lindjes të së drejtës për punësim me ministrinë përgjegjëse për arsimin, ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë dhe institucionin e arsimit të lartë public, sipas përcaktimeve të nenit 4, të këtij ligji, paguan vlerën e plotë të kostos së studimeve.”
Tarifat e reja
Institucionet përgjegjëse pas miratimit të pr/ligjit do të përcaktojnë koston reale të studimit, e cila do të realizohet sipas një metodologjie të përcaktuar. Elementët kyç mbi të cilët do të bazohet metodologjia e përllogaritjes së kostos, janë shpenzimet e personelit, të cilat në institucionet e arsimi të lartë publike vlerësohen rreth 75% të kostos së studimit, shpenzimet korrente për blerje mallrash dhe shërbimesh të cilat vlerësohen rreth 10% të kostos dhe shpenzimet kapitale të cilat zënë vlerësohen rreth 15% të kostos së studimit. Tarifat e reja të përcaktuara, në rast të mosnënshkrimit të marrëveshjes i referohen vetëm viteve të ardhshme akademike, pa patur efekte prapavepruese. Kjo vlen dhe për studentët e ndërmjetëm.
Sa është kostoja në buxhet?
Kostoja e përllogaritur në total mbi buxhetin e shtetit gjatë periudhës 3- vjeçare menjëherë pas miratimit të ligjit për vitin 2023 është 588 milionë lekë, për vitin 2024 është 500 milionë lekë dhe për vitin 2025 400 mln lekë. Kostot financiare që shoqërojnë ndryshimet e parashikuara në projektligj, do të konsiderohen gjatë procesit të përgatitjes së PBA 2024-2026 (faza e dytë) dhe në hartimin e projektbuxhetit të vitit 2024-2026. Këto efekte do të përllogariten dhe dërgohen në Ministrinë e Financave, për të konsideruar impaktin shtesë në buxhet” thuhet në relacion
Ndahen detyrat
Institucionet publike të arsimit të lartë në fushën e shëndetësisë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë, do të jenë përgjegjëse për zbatimin e dispozitave të këtij ligji. Institucionet publike të arsimit të lartë dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit do të jenë përgjegjëse edhe për mbulimin e shpenzimeve për kostot e studimeve të studentëve që pranojnë të nënshkruajnë marrëveshje. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të marrë masat për punësimin me prioritet të studentëve që nënshkruajnë marrëveshje.
Skenarët nga pozitivi tek pesimisti dhe efektet financiare
Në faqen 14 të relacionit ku flitet për ndikimin ekonomik shkruhet se miratimi i këtij projektligji mund të sjellë efekte financiare shtesë për buxhetin e shtetit/Universitetin e Mjekësisë Tiranë, “vetëm në rast se të gjithë studentët që ndjekin këtë program studimi nuk pranojnë të nënshkruajnë marrëveshjen për mbajtjen e diplomës për një periudhë 2 (dy)-vjeçare deri 5 (pesë)-vjeçare pas përfundimit të studimeve”
Gjithashtu në relacion flitet dhe për skenarët e aplikimit të këtij pr/ligji, skenari realist, skenari pesimist dhe skenari optimist dhe efektet financiare. Sipas një skenari më realist, supozohet se 50% e studentëve do të pranojnë të nënshkruajnë marrëveshje.
Efekti financiar për studentët që do të pranojnë të nënshkruajnë marrëveshjen (përveç atyre që tashmë e përfitojnë përjashtimin) për shkak se do të nënshkruajnë marrëveshjen për qëndrim 2-5 vjeçar në Shqipëri përllogaritet: 325 studentë shtesë*45.000/2 lekë = 7.312.500 lekë fonde të nevojshme nga buxheti i shtetit për përballimin e përjashtimit nga tarifa. Kjo kategori studentësh supozohet se do të paguajë 50% të tarifës (45.000/2 lekë).”
Sipas një skenari pesimist, në rast se të gjithë studentët nuk do të pranojnë të nënshkruajnë marrëveshje dhe do të paguajnë koston e plotë të studimeve, efekti financiar në të ardhura (bazuar në koston e përafërt të studimit) përllogaritet rreth 1,6 miliardë lekë shtesë. Por që ky skenar duket jorealist nga ekspertët.
Skenari i tretë ai, optimist, parasheh se nëse të gjithë studentët, pra 863 studentë që aktualisht përfitojnë përjashtimin nga tarifa e studimit – pranojnë të nënshkruajnë marrëveshje dhe të punojnë në Republikën e Shqipërisë, efekti financiar shtesë, që duhet të përballohet nga buxheti i shtetit apo universiteti, përllogaritet rreth 38 835 000 lekë të ardhura të munguara për shkak të përjashtimit të të gjithë studentëve nga tarifat e shkollimit dhe do të nevojiten fonde shtesë për të përballuar këtë efekt financiar nga buxheti i shtetit.
Statistikat: 2 nga 10 mjekë ikin jashtë
Sipas të dhënave të OECD-së, ( Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim) deri në vitin 2017 rreth 770 mjekë shqiptarë punonin në vende të tjera brenda OECD-së. Ndërkaq vlerësohet se deri në vitin 2022 totali i mjekëve të trajnuar në Shqipëri, por që punojnë në vendet e OECD-së, është mbi 1 200 mjekë, me mbizotërim largimin drejt Gjermanisë, SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Kanadasë dhe Italisë. Shkalla e emigrimit vlerësohet të jetë rreth 19.8% ose, e thënë ndryshe, për çdo 10 mjekë që trajnohen në Shqipëri, afërsisht 2 largohen jashtë vendit. Sipas bazës së të dhënave të OECD-së, totali i mjekëve që punojnë në vendet e OECD-së, por të trajnuar në vendet e Ballkanit Perëndimor, vlerësohet afër 7 000 në vitin 2021.
Çfarë synohet
Përmes këtij pr/ligji ku ofrohet trajtim i veçantë për studentët që regjistrohen për herë të parë apo ndjekin programin e integruar të studimit “Mjekësi e Përgjithshme” dhe që pranojnë të punojnë në vend pas diplomimit të tyre, synohet që të nxisë të gjithë studentët që të kontribuojnë në sistemin shëndetësor të Republikës së Shqipërisë, si dhe u jep atyre një shtysë për ecurinë e tyre dhe përfshirjen në tregun e punës pas diplomimit.