Dinamo nuk po arrin dot të gjejë rrugën e fitores duke vijuar të zhytet gjithnjë e më shumë drejt fundit dhe duke e ndërlikuar në maksimum prezencën e tyre në elitë. Si duket, as tranjeri italian, Rodolfo Vanoli nuk po mundet të kthejë “nëndetësen” në shinat e fitores edhe pse erdhi me bujë për të luajtur rolin e shpëtimtarit. Megjithatë, dy humbje në dy ndeshje, konfirmojnë se problemi i Dinamos është më shumë se kaq dhe nuk ka të bëjë me faktin se kush tranjer qëndron në krye të stolit.
Kjo humbje e sotme e Dinamos nuk krahësohet me humbjet e tjera të cilat kanë qenë ndaj ekipeve më të forta. Kjo disfatë e fundit vjen në ndeshjen më të rëndësishme të tyre, atë ndaj një rivali direkt për mbijetesën si Egnatia. Ditën e sotme, rrogazhinasit siguruan një fitore të pastër 0-2 në “Elbasan Arena”, çka u jep atyre një tjetër bonus jetik në garën e tyre për të qëndruar në elitë.
Djemtë e Egnatias i’a dolën të marrin 3 pikë të vyera në këtë ndeshje pas një goli në fundin e çdo pjese. Në fillim, serinë e golave e hapi Admei me kokë në minutën e 44-të i cili kaloi miqtë në avantazh ndërsa në minutën e 90-të, i përhershmi Pedro Augusto, me një kundërsulm të shpejtë përfitoi edhe nga dalja e pastudiuar e Harizaj për të hipotekuar këtë fitore të madhe.
