Kreu i shtetit Ilir Meta ka zhvilluar homazhe në monumentin “Nënë Shqipëri” në nderim të dëshmorëve të Atdheut.
Ai tha për mediat se duhet të angazhohemi të gjithë për të bërë më tepër që shqiptarët të gëzojnë të gjithë liritë që u takojnë në vendin e tyre.
“Në këtë ditë kaq të rëndësishme në historinë tonë, në ditën kur udhëheqësi i rinisë antifashiste Qemal Stafa dha jetën për lirinë e Atdheut kujtojmë jo vetëm atë por Margarita Tutulani, Vojo Kushi, Perlat Rexepi dhe bijë e bija të kësaj toke që bënë sakrificat më sublime për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë.
Të angazhohemi të bëjmë shumë më tepër në mënyrë që qytetarët shqiptarë të gëzojnë të gjithë liritë që u takon në vendin e tyre, në Atdheun e tyre që Shqipëria të ketë vendin që meriton sa më shpejtë në BE e sidomos që të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë të kenë një të ardhme europiane në vendin e tyre”, tha ai.
