Shtatëdhjetë vjet pas shkrimit, ditari i adoleshentes polake Renia Spiege, që ka ngjallur krahasime me Ana Frankun për rrëfimin prekës të historisë së saj si një hebreje gjatë pushtimit nazist të Polonisë e që ishte qëlluar në rrugë disa ditë pas ditëlindjes së saj të 18-të, është shfaqur për herë të parë në gjuhën angleze.
Ditari i adoleshentes hebraike polake, u përshkrua nga botuesi, Penguin Books, si: “Një testament i jashtëzakonshëm për tmerret e luftës dhe për jetën që mund të ekzistojë edhe në kohërat më të errëta”.
Vajza jetonte në Przemysl, në jug-lindje të Polonisë , që ishte nën pushtimin Sovjetik derisa nazistët pushtuan Bashkimin Sovjetik në 1941.
Ditari, ka gati 700 faqe, fillon në janar 1939 kur Renia ishte 15 vjeçe, rrëfen shpëtimin e saj nga sulmet me bomba në qytetin e saj të lindjes, zhdukja e familjeve të tjera hebreje dhe krijimi i getos. Renia dhe motra e saj Elizabeth u ndanë nga nëna e tyre, e cila ishte në anën gjermane gjatë luftës.
Si një poete aspiruese, Renia gjithashtu e mbushi ditarin e saj me dhjetëra kompozime, si dhe rrëfime për dashurinë e saj të parë, një djalë i quajtur Zygmunt Schwarzer. Ata shkëmbyen puthjen e tyre të parë disa orë para se nazistët të arrinin në Przemysl. Renia u vra në korrik 1942 në moshën 18-vjeçare, kur nazistët e gjetën të fshehur në një papafingo.
Ajo ia la ditarin të dashurit dhe në rreshtat e fundit të tij shkroi : “Tre të shtëna! Tre jetë të humbura! Gjithçka që unë mund të dëgjoj janë të shtëna, të shtëna.”
Schwarzer ia dha ditarin një personi tjetër për ta ruajtur ndërsa vetë u dëbua në Aushvic. Ai arriti të mbijetonte dhe u zhvendos në SHBA. Në vitin 1950 arriti që t’ja jepte ditarin motrës së Renias, Elizabetës dhe nënës së saj, Rozës që jetonin në New York. Elizabeta nuk mundi që ta lexonte vetë, kështu që vendosi ta linte në një kasafortë bankare. Kjo ndodhi deri në vitin 2012, kur vajza e saj Alexandra Bellak përktheu ditarin në anglisht, në mënyrë që njerëzit nga e gjithë bota ta lexonin.
“Isha kurioze për të kaluarën, trashëgiminë time dhe për këtë grua të mrekullueshme, emrin e të cilës mbaj. Emri i mesëm është Renata. Mami im nuk mund ta lexonte ditarin, ishte shumë e dhimbshme për të,”– tha Alexandra për CNN.
Ditari do të dalë në treg më 19 shtator.
Pjesë nga ditari:
7 qershor 1942
Kudo ku shikoj, ka gjakderdhje. Masakra të tilla të tmerrshme. Zot, për të disatën herë përulem para jush, na ndihmo, na ruaj!
Zot, na lër të jetojmë, të lutem, dua të jetoj! Kam përjetuar kaq pak në jetë. Kam frikë. Gjithçka është kaq budallallëk, aq e imët, aq e parëndësishme, aq e vogël.
Sot jam e shqetësuar se jam e shëmtuar, nesër mund të mos mendoj më përgjithmonë.
15 korrik 1942
“Mbaje mend këtë ditë; mbaje mend mirë”, kishte shkruar Spiegel më 15 korrik të vitit 1942. “Do t’ua tregosh gjeneratave që do të vijnë. Që nga ora tetë jemi mbyllur në një geto. Jetoj këtu tani. Bota është e ndarë nga unë dhe unë jam ndarë nga bota”.