Një “incident” ka ndodhur gjatë procesit të votimit të kandidatëve që pritet të futen në listat e PD-së për zgjedhjet e ardhshme.
Demokratët i janë nënshtruar një procesi për zgjedhjen e kandidatëve për deputetë, ku anëtarësia propozon emrat e kandidatëve për deputetë, komisioni bën vlerësimin dhe tanimë sërish degët votojnë emrat që kanë kaluar fazat e mëparshme.
Por çuditërisht në qytetin e Durrësit, nga 27 kandidatë për të cilët njoftoi dje zyrtarisht dega e Partisë Demokratike në këtë qark, numri pas votimit doli 28 kandidatë.
Mësohet se emri i shtuar është ai i Enri Çenos, djali i ish-gjyqtarit të Apelit Durrës, Petrit Çeno, i njohur gjerësisht për disa çështje, përfshirë edhe skandalin e biletave të Real Madrid-Barcelona, ku bashkë me dy gjyqtarë të tjerë do të shkonte për të parë ndeshjen me paratë e biznesmenit, Namik Sadiku.
Djali i gjyqtarit Enri Çeno njihet për jetën e tij luksoze dhe pushimet në vende të ndryshme të botës.
Ai kandidoi në Durrës në vitin 2017, por nuk u përzgjodh. Sot ai futet në listat e PD-së pa asnjë paralajmërim dhe pa kaluar procesin e votimit, për të cilën PD po mundohet aq shumë.
Nuk dihet nëse bëhet fjalë për një gabim të degës, apo ndonjë telefonatë për të bërë këtë lëvizje në moment të fundit.