Dy vëllezër nga Elbasani dyshohet të jenë autorët e djegies së automjetit të një 34-vjeçari në Bilisht.
Në prangat e policisë ka rënë Durim Stafa, ndërsa është shpallur në kërkim vëllai i tij, Resmi Stafa.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Devoll, pas një pune intensive hetimore për ngjarjen e ndodhur më datë 10.10.2022, në qytetin e Bilishtit, ku u dogj një automjet, bënë të mundur identifikimin e 2 autorëve të dyshuar të saj. Si rezultat, u bë ndalimi i shtetasit D. S., 35 vjeç dhe u shpall në kërkim shtetasi R. S., 40 vjeç (vëllezër), të dy banues në Elbasan, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim. Nga veprimet hetimore dhe nga provat e grumbulluara rezultoi se këta shtetas i kanë vënë zjarrin automjetit tip “Audi A4”, në pronësi të shtetasit M. B., 34 vjeç, banues në Bilisht dhe për pasojë, automjeti është djegur plotësisht”, njofton policia.
Babai i Marsel Buçit tha se djali i tij e kishte blerë me mundime automjetin, ndërsa hodhi dyshime drejt 28-vjeçares Deizi Arapaj, e njohur si “gangsterja e Bilishtit”, e cila sipas tij, qëndron pas sulmit.