Djegin e mandateve nga ana e opozitës në vitin 2019, Ilir Meta e konsideron një vendim katastrofik ekskluziv të Partisë Demokratike të drejtuar nga Lulzim Basha.
Kryetari i Partisë së Lirisë tha gjatë një interviste në “News24” se e paralajmëroi Monika Kryemadhin për pasojat që do të shkaktonte ky vendin, por, sipas tij, ajo ra pre e besimit të verbër ndaj Bashës dhe u mashtrua.
“Nga pikëpamja e respektimit të të drejtave të njeriut, nga pikëpamja ekonomike dhe sociale, situata është ulëritëse, por unë isha betuar mbi kushtetutë që do të qëndroja si president deri në fund të mandatit. Djegia e mandateve kishte vendime fatale për demokracinë, ishte vendim i gabuar i Partisë Demokratike, por unë i kam paralajmëruar edhe Monikën edhe Petrit Vasilin që të mos i digjnin mandatet. Fakti që sot kemi zero këshilltar në Këshillat Bashkiak është një situatë e keqe ku nuk mbron dot të drejtat e qytetarëve. Duhet të jemi të sinqertë që Monika është një makineri e tërë organizative njerëzore frymëzuese dhe motivuese, ka qenë politikane e spikatur, ajo ka historinë e saj krejtësisht të pavarur nga unë. Sa sillte ajo gjimnazistë në mitingje, nuk sillnin të tjerët nga e gjithë Shqipëria. Por ajo ra viktimë e një besimi të marrë ndaj Lulzim Bashës dhe dogji mandatet, Ishte diçka e qëllimshme nga Rama dhe Basha që LSI të digjte mandatet, për të defaktorizuar LSI dhe për të më shkarkuar mua. E kemi parasysh të gjithë këtë gabim, që do të sillte pasoja fatale për vendin”, tha Meta.