Rudina Hajdari është shprehur mbrëmjen e sotme, se djegia e mandateve është një atentat kundër demokracisë. Sipas saj, PD nuk ka mbështetjen as nga aleatët ndërkombëtarë. Deputetja e Pratisë Demokratike, Rudina Hajdari, e ka quajtur si atentat ndaj demokracisë shqiptare, vendimin e opozitës dhe të PD-së, për djegien e mandateve.
Ajo tha se nuk është pyetur në asnjë moment për vendimin e marrë, ndërsa u shpreh se duhej menduar më shumë para marrjes së këtij vendimi, pasi edhe aleatët ndërkombëtarë janë kundër.
“Në asnjë moment nuk e kam ndjerë se kam dyshim në këtë vendim, pasi akti i PD-së për dorëzimin e mandateve kishte disa probleme. nuk kishte një debat të gjerë brenda forcës politike. Unë nuk kam qenë fare në mbledhjen e grupit kur është marrë ky vendim. Ndoshta duhet të prisnim pak më gjatë, të flisnim pak më hapur dhe të konsultoheshim edhe me aleatët ndërkombëtarë për këtë vendim. Arena ndërkombëtare nuk e mbështet këtë vendim. Më vjen keq por unë do ta konsideroja këtë si një atentat kundër demokracisë shqiptare.
Kjo mund të dëmtojë dhe përshkallëzojë situatën në Shqipëri. Mund të destabilizojë apo të nisë dhunën, gjë që nuk është në favorin tonë”, – tha Rudina Hajdari në emisionin Open.
Më tej ajo u ndal edhe tek propozimi i saj për djegien e madateve gjatë protestës së studentëve. “Dua ta qartësoj është moment kyç ai i protestave të studentëve. Të gjithë ishin në gjumë letargjik. Studentët shqiptarë ishin të parët që e bënë këtë veprim. Unë isha krah tyre dhe isha gati që të bëja çdo gjë për t’i mbështetur ata”, – theksoi Hajdari.