Gjykata e Apelit ka pranuar kërkesën e Izet Haxhisë për hapjen e çështjes “Hajdari”. Avokati mbrojtës i tij tha se procedurialisht hapet e drejta për të dëgjuar Izet Haxhinë, ndërsa përsa i përket është i dënuar apo i paraburgosur tha se procedura e siguron të drejtën të quhet i padënuar.
“Kjo do të thotë sepse është vendosur në respekt dhe në përputhje me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, ky është një vendim shumë i drejtë. Rikthen çështjen në gjykatën e shkallës së parë”, tha ai.
Ai shtoi se ka prova materiale, me dëshmitarë direkt dhe indirekte duke pretenduar pafajësinë për Izet Haxhinë. “Kemi një intrigë poolitike përmes duarve të zgjatura të atyre që kanë marrë këto vendime”, tha avokati.
Vetë Haxhia në seancën e mëparshme tha se është dëshmitar i dorës së parë në dosjen “Hajdari” por që ende nuk është dëgjuar nga asnjë gjykatë.
Kujtojmë se Haxhia ka kërkuar rigjykimin e dosjes së “Azem Hajdarit”, vrasje për të cilën ai është dënuar me 25 vjet burg.
