Shqipëria ka zhvilluar edhe seancën e funditstërvitore përpara ndeshjes me San Marinon, e treta dhe e fundit për këtë grumbullim të vlefshëm për eliminatoret e botërorit “Katar 2022”. Në konferencën për shtyp përpara kësaj ndeshjeje, trajneri Edi Reja u shpreh, se humbja me Anglinë nuk është se ka lënë gjurmë, pasi tani duhet të shohin përpara.
“Në ndeshjen me Anglinë u përpoqëm të bëjmë diçka në aspektin e kundërsulmit, por nuk ia dolëm mbanë. Plani ynë nuk funksionoi dhe kjo nuk është diçka e rrallë, pasi kishim përballë një skuadër të një niveli shumë të lartë. Ndërkohë, San Marino është një skuadër shumë e organizuar. Mund të them se është një skuadër e fortë, jo vetëm në aspektin difensiv. Ndërkohë, që ne kemi disa mundësira për të luajtur në varësi të modulit. E përsëris, do të luajnë ata lojtarë që kam më në formë. Për ne rëndësi ka që të jemi ekip i ekuilibruar dhe që të bëjmë diçka më tepër në sulm, se bëmë kundër Anglisë”.
I pyetur nga gazetarët për pakënaqësitë, problemet brenda skuadrës dhe më konkretisht largimin e Kamberit, trajneri i Kombëtares kuqezi ka përgënjeshtruar gjithçka dhe është shprehur i indinjuar. “Duhet t’i vijë turp kush e ka nxjerrë këtë lajm, nuk është e vërtetë dhe më vjen keq që e kanë nxjerrë gazetarët shqiptar. Kamberi ka bërë grafi, pasi ai ndjente dhembje. E provoi, por mjeku tha të mos e rrezikonim. Ai është me ne, erdhi me ne, por do të kthehet në klubin e tij. Nuk e di pse krijojmë gjithmonë situata si këto, sigurisht çdokush bën çfarë të dojë, por humbet besueshmërinë. Unë kam grumbulluar 28 lojtarë dhe provoj këdo. Përpiqem që të zgjedh kush ndihen më mire, për të mos i krijuar probleme lojtarëve”.
Për trajnerin Reja, me sa duket vetëm kapiteni dhe portieri është i sigurt në formacion për këtë takim. “Mundësitë janë për të gjithë. Nuk kam ndërmend të bëj eksperimente, do të fus në fushë ata që janë në gjendjen më të mirë, por formacionin do ta vendos të mërkurën. Mund të them vetëm që në portë do të luajë Strakosha dhe mund të them, se është ndër të paktat reparte që jam në vështirësi zgjedhjeje, sepse janë të dy portierë në formë shumë të mirë. Sa i përket shiritit, kur luan Berisha kapiteni është ai, ndërkohë që kur luan Strakosha, kapiten do të jetë Hysaj. Këtë çështjen e shiritit tashmë e kam të zgjidhur”.
Ndeshja mes San Marinos dhe Shqipërisë do të zhvillohet ditën e mërkurë, në orën 20:45.